Connect with us

Shkrime

Syzet e Zeza dhe sytë në Mitrovicë

Nga Frrok Cupi

Akti në front shihet ngjarja në veri të Kosovës. Rusia, e nisur për drejt luftës botërore, nuk do të sulmojë të parin Uashingtonin, as Parisin, natyrisht Skena e dytë janë ngjasimet e ‘çuditshme’ që kanë ndodhur në të njëjtat kriza me Veriun e Kosovës e Serbinë. Sa herë janë shfaqur gjahtarët atje, këtu kanë lëvizur gëmushat. E treta, çfarë po e shikojmë qartë përsëri, janë vajtje- ardhjet e dërgatave nga Uashingtoni, Brukseli, NATO… Kryqëzimet e të dërguarve ndodhin këtu, në shtetin shqiptar.

1. Çfarë janë ngjasimet mes ngjarjeve në kriza?

Fenomeni u shfaq menjëherë, në ngjarjet politike të vitit 1991; aq shpejt sa u duk se skemat paskan qenë gati që para demokracisë. Pak kohë pasi në minierën e qymyrit në Veriun e Kosovës, Stari Terg, kishin nisur grevat dhe lëvizja e punëtorëve kundër regjimit të Millosheviç, atëherë nisi edhe ‘greva e minatorëve të qymyrit në Valias pranë Tiranës. Në vitin 1997, bash në momentin kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte bërë gati orën e luftës, në atë moment, në Shqipëri kryetari i shtetit urdhëroi militantët e gjysmës së vendit për të pushtuar me armë gjysmën tjetër. Çlirimi i Kosovës u shty edhe dy vjet… Më parë ishin penguar vendimet e Rambujesë, rezolutat parlamentare në favor të Kosovës…

Në 6 dhjetor 2022, Bashkimi Europian, me gjithë kapacitetet e veta dhe personalitetet, ulet në Tiranë për Samitin me Ballkanin Perëndimor. Atë ditë grupimi i mbetur nga PD, kryesuar nga Berisha, ngre ‘popullin’ kundër Perëndimit. Bosi zgjedh të gjakoset vetë në bulevard si besim për partnerët e tij. Arsyeja pse e zgjodhi këtë formë?… Kjo është. Një pjesë e kësaj enigme mund të shikohej qartë pas syzeve të diellit në Hotel Rogner. Të dielën këta të Rithemelimit u mblodhën në Hotelin e Tiranës si delegatë lufte. Në luftë ata që mbledhin shokët rrugës u bëjnë sinjal ‘Eej, mos harro fishekët!’; ndërsa këta u derdhën bareve të qytetit me parullën ‘Mos harro syzet’.

Qysh ditën që u rrah në rrugë ‘bosi’, qysh atë ditë është shfaqur maska. Kujt i jep mesazhe ky grupim anti- perëndimor, i financuar nga Rusia? Rusisë i jep mesazhin se ‘e kreva detyrën, edhe pse me sakrificë’?… Apo i japin mesazh Perëndimit se ‘nuk ta falim, do të të luftojmë!’ edhe sikur prapa maskave. Guximi që kanë treguar deri tani, me siguri e ka një bazë. Megjithatë ndryshimi i ‘look-ut’ i militantëve të Grupimit, nuk është pa gjë. Edhe në art kështu ka ndodhur: Grupi muzikor ‘Hip Hop Repper’, për modelin e syzeve u frymëzua nga gangsterët e Mafies.

Nëse nis lufta në Veri të Kosovës, këta ia dolën, atje i kanë sytë.

2. Kosova ka katër ditë në barrikada në kufirin e saj Verior. Çfarë po ndodh?

Në Veri të Kosovës Rusia tenton të ndezë luftën kundër Perëndimit dhe kundër NATO-s. Deri më tani është plagosur një polic shqiptar dhe janë keqtrajtuar disa gazetarë. Por tensioni i vërtetë fshihet prapa maskave. Pala serbe ka tentuar të sulmojë kundër forcave të EULEX-it, por kjo do të ishte fatale. Presidenti i Serbisë ka deklaruar se mund të nisen 1000 ushtarakë serbë drejt Kosovës, por edhe kjo po kaq shumë ngjall rrezik. Sekretari i Përgjithshëm, Stoltenberg, deklasoi sot se ‘NATO është gati’…, dhe NATO nuk është një lodër- thonë studiuesit.

Rusia ka arritur të shprehet qartë se nuk e pranon propozimin Franko- Gjerman për bisedimet Kosovë- Serbi, por do që të jetë edhe vetë Moska pjesë e lidershipit europian. Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Josep Borell ka deklaruar mbrëmë se propozimi për marrëveshjen Kosovë -Serbi tani e ka mbështetjen e 27 vendeve anëtare të BE duke nënkuptuar se nuk mund të negociohet me askënd. Për ta destabilizuar Perëndimin, Rusia nuk ka nevojë që t’i shtyjë tanket në Uashington ose Bruksel, është mjaft Veriu i Mitrovicës.Të dërguarit amerikan dhe të BE kanë mbërritur në Kosovë.

3. Tirana, kështu dhe ashtu…

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Republika e Shqipërisë do të jetë në krah të Kosovës. Shqipëria është aleate e Shteteve të Bashkuara, vendi ku bazohet edhe siguria e rajonit. Por kurrë në histori nuk ka pasur kaq kundërshti rreth pranisë së SHBA në Tiranë. Aleatët e ‘syzeve të zeza’ shtyjnë çdo ditë në media sociale frymën ‘pse vallë Amerika këtu?’ dhe ‘pse guvernatorja Yuri Kim na prish punët?’. Ambasadorja, i dërguari i SHBA, sekretari i Shtetit dhe vetë presidenti sulmohen me synimin kundër vetë shtetit Amerikë. Qëllimi ogurzi i vinte sot në përballje edhe ‘me të vetët’, dmth., me zyrtarët ‘e djathtë pro PD’.

Richard Grennel, ambasador dhe këshilltar i presidentit Trump, i shpallur si ‘pro PD’, deklaroi se duhet ‘menjëherë të dalë nga burgu Hashim Thaçi me të tijtë’. Me këtë i bie pika grupimit Berisha që ka sulmuar Thaçin që nga burgosja e deri te akuzat. Por i bie edhe projekti për ndonjë flamur amerikan në Rogner.

Grupi i ‘Syzeve të Zeza’ është në konfuzion; të paktën të ishte si deri tani qartazi kundër Uashingtonit, Londrës dhe Brukselit.

Advertisement