Bota
Takimi në Washungton/ Zelensky premton 100 mld $ blerje armësh amerikane

Lufta/ Zelensky dhe liderët e BE në SHBA, Trump telefonon Putin: Përgatitje për takimin trepalësh! Kievi premton 100 mld $ blerje armësh amerikane
Presidenti amerikan Donald Trump u takua sërish me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Zyrën Ovale, por këtë herë atmosfera ishte shumë ndryshe nga ajo e përplasjes së shkurtit. Në një takim të qetë, të shoqëruar edhe me batuta dhe kujdes të madh nga ana e liderit ukrainas, Zelensky, pak pas hyrjes në Zyrën Ovale, i dorëzoi Trumpit një letër nga bashkëshortja e tij, Olena Zelenska, mbi dramën e fëmijëve ukrainas.
Trump dhe Zelensky qëndruan për afro 30 minuta në një konference për mediat në zyrën Ovale, ku iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve, kur Presidenti i SHBA-ve dha lajmin e shumëpritur për Kievin: Amerika do të jetë aty, së bashku me Evropën për të garantuar sigurinë e Ukrainës nëse paqja me Rusinë do të arrihet.
“Do të ketë shumë ndihmë në lidhje me sigurinë. Do të ketë shumë ndihmë. Do të jetë pozitive. Europa është vija e parë e mbrojtjes sepse janë atje, por edhe ne do t’i ndihmojmë ata. Do të përfshihemi kur të vijë koha”, tha Trump.
Trump, nuk e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të trupave amerikane në Ukrainë, ndërsa shpreson për një takim trepalësh brenda 7-15 ditëve. Edhe presidenti Zelensky u shpreh i gatshëm për një takim trepalësh me Putin, duke kujtuar urgjencën për t’i dhënë fund luftës sa më shpejt, si dhe deklaroi se është i hapur për zgjedhje në Ukrainë, por vetëm në kushte sigurie. Nga ana tjetër, presidenti amerikan përsëriti se një armëpushim nuk është i domosdoshëm: “Mund të punojmë për një marrëveshje paqeje edhe ndërsa luftimet vazhdojnë”, duke krijuar kështu një përplasje me liderët europianë, pasi Presidenti Emmanuel Macron i Francës dhe Kancelari gjerman Friedrich Merz kërkojnë një armëpushim.
Pas takimit, të dy presidentët u bashkuan me shtatë liderët e BE-së në një tryezë ku përpos deklaratave mediatike zhvilluan edhe bisedime të mbyllura për rreth 2 orë e gjysmë. Pas takimit zyrtar presidenti Trump, zhvilloi një telefonatë 40 minuta me presidentin rus, Vladimir Putin. Bisedimet rinisën sërish, por kësaj radhe në Zyrën Ovale me liderët e BE, ndërsa më pas Trump doli me një deklaratë në rrjetin e tij social Truth ku konfirmoi se ka nisur përgatitjet për një takim Putin-Zelensky dhe më pas edhe një takim trepalësh me praninë e presidentit amerikan.
Trump zbuloi se “gjatë takimit diskutuam për Garancitë e Sigurisë për Ukrainën, të cilat do të ofrohen nga vende të ndryshme europiane, në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të gjithë janë shumë të kënaqur për mundësinë e PAQES mes Rusisë dhe Ukrainës.”
Nga ana tjetër raportohet se Ukraina ka ofruar të blejë 100 miliardë dollarë armë amerikane, të financuara nga Europa, si pjesë e një marrëveshjeje për të siguruar garanci nga SHBA mbi sigurinë e saj pas një marrëveshjeje paqeje me Rusinë. Lajmin e raporton Financial Times, duke cituar disa dokumente sipas të cilëve propozimi parashikon gjithashtu një marrëveshje mes Kievit dhe Uashingtonit për prodhimin e dronëve me kompani ukrainase.

