Aktualitet
Publikimi i të dhënave, AMA apel mediave: Tregoni maturi
Autoriteti i Mediave Audiovizive u ka bërë thirrje redaksive të mediave që të tregojnë maturi dhe përgjegjësi profesionale në prezantimin dhe trajtimin e publikimit të të dhënave që kanë dalë pas hakerimit nga iranianët. Në njoftim bëhet me dije se duhet të evitohen publikimet e përmbajtjeve që pengojnë dhe dekonspirojnë hetimin e organit procedues. AMA shton se ka pritmëri që redaksitë të tregojnë maturi dhe përgjegjësi profesionale në prezantimin dhe trajtimin e publikimit të të dhënave që janë përftuar në mënyrë të paligjshme nga grupe hakerash iranianë në sistemet kompjuterike të institucioneve publike shqiptare.
Njoftimi i plotë:
AMA ka identifikuar se së fundmi në programet audiovizive informative po zënë vend dhe publikime të të dhënave që janë siguruar nga hakerimi në sistemet e teknologjisë së informacionit të disa prej institucioneve publike. Mes informacioneve që po shpërndahen ka dhe të dhëna sensitive, që lidhen me sekrete hetimore nga institucionet dhe agjencitë e rendit dhe sigurisë publike, deri dhe dokumente me elementë të cënimit të sigurisë kombëtare, sipas përfaqësuesve të prokurorisë që po hetojnë rastet. Duke respektuar standardin e veprimtarisë së lirë audiovizive, apo të pavarësisë editoriale në hartimin dhe prodhimin e katalogëve të programeve nga subjektet e licencuara, AMA, ka pritmëri që redaksitë të tregojnë maturi dhe përgjegjësi profesionale në prezantimin dhe trajtimin e publikimit të të dhënave që janë përftuar në mënyrë të paligjshme nga grupe hakerash iranianë në sistemet kompjuterike të institucioneve publike shqiptare.
Fakt është një pjesë e OSHMA-ve nuk kanë preferuar të publikojnë të dhënat sensitive me elementë të cënimit të sigurisë kombëtare, duke respektuar kështu dhe kërkesat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës dhe duke mos rënë pre e synimeve të sulmuesve kibernetikë, ndërkohë që bëjmë apel dhe kërkojmë që dhe nga OSHMA të tjera të evitohen publikimet e përmbajtjeve që pengojnë dhe dekonspirojnë hetimin e organit procedues. AMA u ka bërë thirrje redaksive të mediave që të tregojnë maturi dhe përgjegjësi profesionale në prezantimin dhe trajtimin e publikimit të të dhënave që janë përftuar në mënyrë të paligjshme nga grupe hakerash iranianë në sistemet kompjuterike të institucioneve publike shqiptare. Ne njoftim theksohet se duhet të evitohen publikimet e përmbajtjeve që pengojnë dhe dekonspirojnë hetimin e organit procedues.
Çfarë ndodhi?
Dokumente sekrete nga Policia e Shtetit kanë ‘rrjedhur’ pas sulmit të kryer nga hakerat dhe kanë zbuluar disa atentate të planifikuara ndaj zyrtarë shqiptarë e të Kosovës. Dokumentet kanë zbuluar se është tentuar vrasja e disa personave, mes tyre ish-kryedemokrati Lulzim Basha dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Veç tyre ishte tentuar eliminimi i Ismet Haxhës dhe Xhavit Halitit, dy zyrtarë në Kosovë. Po ashtu janë siguruar informacione edhe për qarkullimin lirshëm të Talo Çelës në Tiranë. Ai ka ardhur dhe ka takuar Ervin Matën, një prej protagonistëve të vrasjes në ish-Bllok, ku mbeti i plagosur Ervis Martinaj dhe u vra miku i këtij të fundit, Fabjan Gaxha.