Bota
‘Të shmangim provokimet’/ BE pezullon tarifat për SHBA, Von der Leyen: Sa të mbyllet marrëveshja

Bashkimi Europian pezulloi sot kundërtarifat e vendosura për Shtetet e Bashkuara duke i lënë vend akordit të ri tregtar të arritur mes tyre.
Edhe pse ende nuk ka mbërritur një përgjigje formale ndaj tekstit të propozuar nga Brukseli për deklaratën e përbashkët që do të sanksionojë paqen tregtare mes dy anëve të Atlantikut, Unioni thotë se ky veprim është një sinjal qetësimi.
Udhëzimet e Ursula von der Leyen duket se kanë qenë të qarta për të gjithë, për të pasur më shumë besim tek SHBA-së dhe për të shmangur çdo provokim. Prandaj edhe komiteti për barrierat doganore, që ka kompetencën për të zbatuar ndryshimet në tarifat e propozuara nga Komisioni, do të pezullojë masat e hartuara muajin e kaluar për t’iu përgjigjur kërcënimeve të Shtëpisë së Bardhë. Në atë pikë, do të ketë kohë të mjaftueshme për të përcaktuar dhe rënë dakord mbi dokumentin e përbashkët, ku do të përfshihen edhe specifikat për përjashtimet sektoriale.
Për shembull, tarifat mbi makinat evropiane do të ulen në 15% në një kohë që ishin rritur në 27,5% nga Trump edhe ato mbi barnat gjithashtu. Avionët, nga ana tjetër, do të kenë tarifë zero. Në të njëjtën kohë, negociatorët do të diskutojnë mbi taksat për pijet alkoolike dhe pastaj mbi tarifat për çelikun dhe aluminin. miratimi i sotëm do të duhet të ratifikohet brenda dy javësh në formë të shkruar. Megjithatë pezullimi nuk është i pakufizuar, por ka një afat 6 mujor. Një procedurë kjo që lejon të merren masa shpejt nëse do të kishte surpriza nga Uashingtoni.
Pavarësisht skeptikëve në Europë, vetë SHBA-të duken të vendosura për ta mbyllur shpejt çështjen e tarifave. Për Jamieson Greer, përfaqësuesin tregtar të SHBA-ve, raundi i tarifave është “praktikisht i përcaktuar” dhe vështirë se do të ndryshojë.

