Connect with us

Politike

Teatri i politikës shqiptare/ Iris Luarasi: Kafja e parlamentit shuan çdo armiqësi PD-PS

Ka qëndruar për vite përballë studentëve dhe po aq gjatë ka ndjekur politikën dhe foltoren e Kuvendit si analiste. Për Iris Luarasin, kalimi nga një “aula” në tjetrën është një udhëtim mes dy realiteteve që flasin gjuhë të ndryshme.
Nuk i ka provuar ende emocionet dhe ndjesitë e foltores së Kuvendit, sepse kjo legjislaturë ka nisur me shumë debate në sallën e Parlamentit të Shqipërisë.
Gjuha konfliktuale dhe e urrejtjes vazhdon ta dominojë atë sallë, një fjalor që shpesh përzien arrogancën me banalitetin. Në atë sallë, siç vëren Luarasi, “rehatia e disave prej tyre nuk vjen nga argumenti, por nga fakti që ke dekada në atë karrige”. Një grup që nuk lëviz, që di të mbijetojë në çdo rotacion pushteti, duke u bërë pjesë e “klubit të përjetshëm” të politikës shqiptare.
Si deputete për herë të parë në Kuvendin e Shqipërisë, ajo po e sheh nga brenda politikën se si funksionon në realitet. Në korridoret e Kuvendit, jashtë kamerave, politika është më e butë.
“Kafja e parlamentit është vendi ku zgjidhen të gjitha armiqësitë politike,” thotë ajo. Një realitet i njohur për gazetarët që e ndjekin politikën nga afër: aty ku fjalët e mëdha shuhen si shkumë mbi filxhanin e kafesë, dhe debati i ashpër kthehet në shaka mes personazhesh të shfaqur si “armiq” në sallën e Kuvendit.
Numri i konsiderueshëm i të rinjve dhe grave në parlamentin aktual është një lajm i mirë për Iris Luarasin.
Prej të rinjve ajo pret të ndryshojnë gjuhën e urrejtjes dhe të zbusin konfliktet mes mazhorancës dhe opozitës.
Kuotat gjinore, sipas Luarasit, kanë sjellë më shumë gra, por jo domosdoshmërisht e kanë përkthyer këtë në cilësi.
Iris Luarasi flet për “diktatin e rreshtit” në grupin parlamentar dhe për atë pjesë të lirisë së mendimit që detyrohesh ta lësh kur vendos t’i bashkohesh një force politike.
Si analiste, ajo e sheh ende shumë të vështirë situatën e opozitës për shkak të krizave të thella që ka kaluar, duke theksuar domosdoshmërinë për një opozitë të fortë e të qenësishme si element vendimtar për demokracinë.

Abuzimi me të miturën nga roja i shkollës, Iris Luarasi: Pedofilët të kastrohen - pernenat.al

 

Advertisement