Dy persona u gjetën të vdekur në rajonin e Katalonjës, në Spanjë, të cilët dyshohet se kanë humbur jetën në përpjekje për të shuar një zjarr, të rënë si pasojë e temperaturave të larta.
Autoritetet lokale njoftuan se trupat e pajetë u gjetën pasi zjarrfikëst arritën të neutralizonin zjarrin e rënë në zonën Torrefeta, në afërsi të qytetit Kosko. Ndërkohë, dy vdekje të tjera si pasojë e temperaturave përvëluese u regjistruan në Francë, ku rreth 300 personave të tjerë u erdhën në ndihmë zjarrfikësit.
Kontinenti evropian po përjeton temperatura ekstreme, një dukuri që sipas OKB-së po bëhet më e shpeshtë për shkak të ndryshimeve të klimës të shkaktuara nga dora e njeriut.
Për Spanjën dhe Francën, muaji i kaluar shënoi qershorin më të nxehtë që nga nisja e regjistrimit të të dhënave. Shërbimi meteorologjik iberik, AEMET, njoftoi se niveli i temperaturave kishte “shfarosur” rekordet e mëparshme, të verifikuara në korrik dhe gusht.
Ndërsa në Francë, zyrtarët vendas deklaruan se dy vdekjet e regjistruara ishin pasojë e sëmundjeve të shkaktuara nga i nxehti ekstrem. Lajmi nga Parisi vjen teksa Franca regjistroi qershorin e dytë më të nxehtë në histori, që nga nisja e regjistrimit të temperaturave në vitin 1900. Qershori i 2025-s vjen menjëherë pas atij të 2023-shit, kur vendi përjetoi “ferrin”.
Aktualisht, 4 rajone të Francës mbeten me alarmin e kuq, që është dhe më i larti. Ato janë Aube’, Sher, Luaret dhe Jone’. Ndërkohë, në Itali, dy punëtorë ndërtimi në provincën e Viçencës, u dërguan në spital pasi humbën ndjenjat teksa punonin. Njëri prej tyre, sipas mediave italiane, është në gjendje kome.