Connect with us

Bota

Tensione në Izrael, ushtria i del kundër Netanyahut për pushtimin e plotë të Gazës

Gjeneralë të lartë izraelitë dhe ish-komandantë paralajmëruan se ky plan rrezikon jetën e pengjeve izraelite që mbahen ende nga Hamasi…

Mbledhja e kabinetit të sigurisë izraelite, e parashikuar të diskutojë thirrjen e Benjamin Netanyahut për “pushtimin e plotë” të Gazës, është shtyrë mes tensioneve të rritura mbi realizueshmërinë e këtij plani.

Në një kohë kur bisedimet për armëpushim me Hamasin kanë ngecur, zyrtarë izraelitë kishin njoftuar mediat vendase dhe ndërkombëtare se kryeministri po shqyrtonte një ofensivë të zgjeruar, me synim marrjen nën kontroll të plotë të territorit palestinez pas 22 muajsh lufte kundër Hamasit.

Por gjeneralë të lartë izraelitë dhe ish-komandantë paralajmëruan se ky plan rrezikon jetën e pengjeve izraelite që mbahen ende nga Hamasi, mund të çojë në izolim të mëtejshëm ndërkombëtar të Izraelit dhe do të kërkonte që ushtarët izraelitë të administrojnë një popullatë ku militantët e Hamasit ende veprojnë

Çdo lëvizje drejt pushtimit të plotë pritet të hasë rezistencë të fortë nga pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar, tashmë i tmerruar nga mënyra e zhvillimit të ofensivës ushtarake izraelite. Fushata shkatërrimtare e Izraelit ka zhdukur pjesë të mëdha të Gazës, duke vrarë mbi 60 mijë njerëz, shumica civilë, duke detyruar mbi 2 milionë banorët e saj të largohen nga shtëpitë dhe duke shkaktuar, sipas një raporti ndërkombëtar të urisë, një krizë urie të paprecedent.

Kjo ka shkaktuar zemërim të gjerë global dhe ka shtyrë disa vende europiane të paralajmërojnë se do të njohin një shtet palestinez muajin e ardhshëm nëse nuk arrihet armëpushimi, mes thirrjeve në rritje për sanksione ndaj Izraelit.

Tensionet u përshkallëzuan pasi media izraelite raportoi të hënën se Netanyahu e kishte marrë tashmë vendimin për ofensivën e zgjeruar.

“Zari është hedhur. Do të pushtojmë plotësisht Rripin e Gazës dhe do të shkatërrojmë Hamasin”, thanë burime anonime, duke cituar Netanyahun. Por të martën u bë e qartë se kishte ndarje të thella mes Netanyahut dhe komandës së lartë ushtarake, përfshirë Shefin e Shtabit, Eyal Zamir, i cili raportohet se kishte kundërshtuar planin, duke nxitur madje thirrje për shkarkimin e tij.

Edhe analistët ushtarakë në median izraelite shprehën skepticizëm. Yossi Yehoshua, komentator i çështjeve ushtarake në “Yedioth Ahronoth”, paralajmëroi për pasojat.

“Pengjet… do të vdesin, shumë ushtarë të IDF-së do të humbasin jetën dhe do të krijohet një problem logjistik serioz, ku do të strehohen rreth 1 milion civilë që ndodhen në qytetin e Gazës? Aktualisht, Izraeli nuk ka as legjitimitetin për të vazhduar luftën, as për të ndërtuar një qytet refugjatësh mbi rrënojat e saj”, tha ai.

Zyrtarë izraelitë thanë se Netanyahu e kishte diskutuar planin me Shtëpinë e Bardhë, ndërsa përpiqej ta paraqiste Hamasin si përgjegjës për ngecjen e bisedimeve për armëpushim, një pretendim i hedhur poshtë nga Hamasi, që akuzon Izraelin për bllokimin e negociatave.

Administrata Trump nuk ka komentuar mbi propozimin e Netanyahut, por disa deklarata të rrjedhura nga emisari amerikan Steve Witkoff, gjatë takimit me familjarët e pengjeve, sugjeruan se propozimi për shkëmbim pengjesh kundrejt një armëpushimi të përkohshëm kishte dështuar.

Sipas tij, Donald Trump beson tani se të gjithë duhet të kthehen menjëherë në shtëpi. Jo marrëveshje të pjesshme, duke shtuar se po ndiqej një plan “gjithçka ose asgjë”.

Në qendër të planit të Netanyahut është ideja se duke rrethuar zonat ku mendohet se mbahen pengjet, forcat izraelite mund të kryejnë operacione shpëtimi, një strategji që ka dështuar përgjatë dy viteve të luftës.

Disa analistë dyshojnë se kjo thirrje e Netanyahut është më shumë retorikë politike për të mbajtur në koalicion ministrat e ekstremit të djathtë, që kanë kërkuar ndërtimin e vendbanimeve izraelite në Gaza.

Një zyrtar palestinez afër negociatave tha për Reuters: “Këto kërcënime mund të jenë vetëm presion mbi Hamasin që të bëjë lëshime në tryezën e bisedimeve. Por kjo vetëm e komplikon situatën, fraksionet e rezistencës nuk do të pranojnë më pak se përfundimin e luftës dhe tërheqjen e plotë nga Gaza.”

Kapacitetet reale të Izraelit për një operacion të tillë janë gjithashtu në dyshim, pasi ushtria po përballet me mungesë personeli, thirrje të përsëritura të rezervistëve dhe një krizë të shëndetit mendor mes trupave, përfshirë raste vetëvrasjesh.

Gjatë një vizite në Gaza të martën, ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz, propozoi një pushtim më të kufizuar afatgjatë, duke thënë se Izraeli do të mbajë një prani të përhershme të IDF-së në një “zonë sigurie” strategjike në Gaza, për të parandaluar sulmet e ardhshme dhe kontrabandën e armëve.

“Kjo është mësimi kryesor i 7 tetorit. Ashtu si në sektorë të tjerë, edhe këtu, IDF duhet të qëndrojë midis armikut dhe komuniteteve tona – jo vetëm për të luftuar armikun, por për ta ndarë atë nga civilët tanë”, tha Katz.

Ndërkohë, të martën, brenda Gazës, të shtëna dhe sulme ajrore izraelite vranë të paktën 13 palestinezë, sipas autoriteteve lokale, përfshirë pesë persona në një tendë në Khan Younis dhe tre të tjerë që kërkonin ndihma pranë Rafahut në jug.
Tanket izraelite depërtuan në pjesën qendrore të Gazës, por ende nuk është e qartë nëse kjo është pjesë e një ofensive tokësore më të gjerë./ “TheGuardian” 

Advertisement