Connect with us

Bota

Teoria konspirative që po qarkullon në rrjetet sociale: Zbulohet data kur do të nisë Lufta e Tretë Botërore

Që nga shkurti i vitit 2022, kur Rusia nisi agresionin ndaj Ukrainës, bota është përballur me frikën e një përshkallëzimi të madh ushtarak që mund të çojë në një Luftë të Tretë Botërore.

Së fundmi, tensionet janë rritur më tej me shkeljet e hapësirës ajrore nga avionët dhe dronët rusë mbi vende të NATO-s si Estonia, Polonia, Norvegjia dhe Danimarka – duke ndezur edhe më shumë frikën e një konflikti global.

Por tani, rrjetet sociale po përvëlohen nga një teori konspirative, e cila pretendon se Lufta e Tretë Botërore do të nisë më 3 nëntor 2025. Pse pikërisht kjo datë?

Gjithçka rrjedh nga një intervistë me ish-komandantin e NATO-s për Evropën, gjeneralin Richard Shirreff, dhënë për “Daily Mail”. Në intervistë, Shirreff paralajmëroi se Rusia ka kapacitetin për të pushtuar Evropën brenda vetëm pesë ditëve, nëse Perëndimi nuk reagon me kohë ndaj një sulmi të papritur.

Për të ilustruar këtë, ai krijoi një skenar hipotetik që zhvillohet nga data 3 deri më 7 nëntor 2025, duke përshkruar minutë pas minute se si mund të ndodhte një pushtim i rrufeshëm rus. Skenari nuk ka lidhje me ndonjë informacion sekret apo parashikim të vërtetë – por kjo nuk i ka ndalur teoritë konspirative.

Çfarë ndodh në skenarin e Shirreff?

Sipas skenarit:

Më 3 nëntor 2025, në orën 14:00, një ndërprerje totale e energjisë godet Vilniusin, kryeqytetin e Lituanisë. Kaos shpërthen në qytet, me spitale që kalojnë në gjeneratorë emergjence dhe bankat që ndalojnë operacionet.

Brenda pak orësh, Letonia dhe Estonia përjetojnë ndërprerje të ngjashme të energjisë.

Më 4 nëntor, Vladimir Putin deklaron se për shkak të trazirave në vendet fqinje, forcat ruse në Kaliningrad janë vënë në gatishmëri maksimale dhe janë dërguar në kufirin me Lituaninë. Më shumë se 60,000 trupa ruse vendosen gjithashtu në Bjellorusi.

Putin pretendon më pas se rebelë lituanezë kanë sulmuar trupat ruse në Kaliningrad dhe urdhëron pushtimin e Korridorit Suwalki – një zonë kyçe që lidh Kaliningradin me Bjellorusinë.

Nga aty, fillon një ofensivë e gjerë që përfundon me disfatën e shpejtë të forcave të NATO-s, brenda 100 orësh.

Paralajmërim, jo parashikim

Gjenerali Shirreff ka theksuar se ky është vetëm një skenar fiktiv, një “ushtrim mendor” për të ilustruar sa shpejt mund të përshkallëzojë një konflikt nëse NATO nuk është e përgatitur. Skenari synon të tërheqë vëmendjen mbi nevojën për gatishmëri ushtarake dhe mbrojtje të infrastrukturës kritike, jo të japë një datë të saktë për luftë.

Por, siç ndodh shpesh në rrjetet sociale, konteksti është humbur. Data 3 nëntor është marrë si e mirëqenë nga teoricienët e konspiracionit, të cilët kanë lidhur skenarin me numerologjinë, një praktikë ezoterike që u jep numrave kuptime mistike.

Fundi i arsyes?

Kjo nuk është hera e parë që ushtrime strategjike apo skenarë imagjinarë keqinterpretohen si “parashikime profetike”. Megjithatë, përhapja virale e kësaj teorie ngre shqetësime reale për manipulimin e informacionit, sidomos në një klimë globale gjithnjë e më të tensionuar.

Advertisement