Connect with us

Bota

Tërmeti/ Futbollisti tregon tmerrin: U zvarrita…

Duke u zvarritur nga ajo që kishte mbetur nga dhoma e tij në mes të natës, futbollisti norvegjez Fredrik Gulbrandsen iu mbijetoi mrekullisht tërmeteve të fuqishme të së hënës, që goditën Turqinë jugore, ku ai luan për një ekip vendas.

Gulbrandsen, i cili ishte i vetëm duke pushuar në banesën e tij në provincën Adana, pas një dëmtimi që pësoi gjatë një ndeshjeje, u përpoq të ikte nga ndërtesa 15-katëshe kur ndjeu dyshemenë duke u dridhur nën këmbët e tij.

“Unë u përpoqa të ngrihesha në apartament. Nuk munda ta bëja, sepse po dridhesha shumë. U zvarrita për të kapur disa rroba dhe dola nga apartamenti duke përdorur shkallët, – tha Gulbrandsen për të përditshmen norvegjeze “Dagbladet”. – Ende nuk mund ta besoj se kam arritur të dal i gjallë nga ajo ndërtesë”.

Ai u ndesh me një atmosferë paniku të madh edhe jashtë: “U tmerrova më keq duke parë shumë njerëz që përpiqeshin të dilnin nga banesat e tyre si unë dhe të shpërndarë përreth”.

Sulmuesi 30-vjeçar ka thënë më tej se ka telefonuar familjen e bashkëlojtarit të tij norvegjez Jonas Svensson dhe i ka marrë me vete në ambientet e klubit: “Ata ishin në formë të mirë, por kishin kaluar një përvojë traumatike”.

Gulbrandsen, i cili iu bashkua Adana Demirspor nga Medipol Basaksehir vitin e kaluar, shënoi një gol dhe dha 4 asiste në 13 ndeshje.

Të gjitha aktivitetet sportive në Turqi janë pezulluar deri në një njoftim të dytë për shkak të tërmeteve vdekjeprurëse, pasi vendi mban një periudhë zie kombëtare 7-ditore.

Tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6 ballë, me qendër në Kahramanmaras, goditën 10 provinca dhe prekën më shumë se 13 milionë njerëz.

Ndërsa njerëzit vazhdojnë të gërmojnë nëpër rrënoja, duke shpresuar të gjejnë dikë ende gjallë, numri i viktimave të tërmetit në Turqi dhe Siri vazhdon të rritet. Shumë sportistë në mesin e mbi 20 mijë të vdekurve të kësaj katastrofe, që tronditi botën.

Nëse imazhet janë rrëqethëse, e njëjta gjë mund të thuhet për historitë e atyre që mbijetuan dhe arritën të shpëtonin, pasi e panë vdekjen me sy. Mes tyre është edhe futbollisti Fredrik Gulbrandsen. Në një postim në Instagram, 30-vjeçarja ka rrëfyer atë që ndodhi në momentin e tërmetit:

“Nuk mund ta përshkruaj me fjalë se sa i frikësuar isha. Jam ende i shokuar. Kur toka filloi të dridhej në Adana, unë isha duke fjetur në katin e fundit të një pallati 15-katësh. Në një moment mendova se isha i vdekur.

U zvarrita në dysheme për të zbritur, i bindur se dyshemeja poshtë meje do të zhytej. Ende nuk mund ta besoj si ndërtesa mbijetoi. Pallati lëvizi aq shpejt sa m’u duk sikur të isha në një varkë, ndërsa kishte stuhi të fortë në det.

Sapo munda të largohesha nga ndërtesa, pashë shumë njerëz që dilnin jashtë. Ata ishin të tmerruar. Unë isha shumë, shumë me fat”.

Advertisement