Connect with us

Politike

Termocentralet në Vlorë, Kim: Energji për 200 mijë shtëpi

Në Vlorë janë instaluar dy termocentralet lundruese për prodhimin e energjisë. Ambasadorja amerikane Yuri Kim së bashku me zv.kryeministren Belinda Balluku ishin nga afër për t’i parë dy njësitë gjeneruese të energjisë. Ministrja Balluku tha se do të prodhojnë 15% të energjisë vendase.

“Ne këtu do të prodhojmë 15% të nevojës vendase. Nga ana tjetër do të kursejmë më shumë se gjysmën e atyre parave, gati 60% me çka do të importonim këtë 15% energjie që na mungon.

Janë në një kontratë 2-vjeçare. Pas dy vitesh kemi të drejtën të diskutojmë me kompaninë për blerjen përfundimtare me një çmim simbolik dhe të vendosen njëherë e përgjithmonë si asete. Ne mund ti përdorim për prodhim, pasi janë njësi që ne i kontrollojmë. Por mund të jepen nga Shqipëria me qira vendeve të tjera”, tha ministrja.

Balluku zbuloi se ishin në garë me Gjermaninë se kush do t’i marrë dhe kompania vendosi t’i sjellë në Shqipëri.

“Kemi qenë në garë me Gjermaninë, nëse do të vinin këtu apo do të shkonin në Berlin. Unë pyesja çdo ditë kur do vinë. Ishte problemi i detit sepse janë njësi të rënda dhe kërkojnë kushte të mira lundruese. E gjitha Evropa po mundohet të instalojë njësi të tilla”, tha Balluku.

Ndërkaq, ambasadorja amerikane theksoi rëndësinë e termocentraleve lundruese, në një kohë kur bota është duke u përballur me krizën e energjisë.

“Jemi me fat se që nga viti 2020 kemi filluar të flasim për energjinë. Jam me ministren, nuk duken të bukura, por rëndësi ka që funksionojnë. Nëse kjo funksionon si duhet të prodhojnë të paktën 114 megavat. Kjo mund të përmbushë 12-15 % nevojat për energji në vend. Në terma mesatarë do të thotë 150-200 mijë shtëpi”, tha Kim.

Pritet që dy njësitë të fillojnë prodhimin e energjisë në fund të vitit.

Advertisement