Ekonomi
Themelohet Këshilli Rajonal i Biznesit,anëtarë të së cilës janë përfaqësuesit e 16 kompanive, të cilat zhvillojnë aktivitet në Rajonin e Ballkanit Perëndimor
Këshilli Rajonal i Biznesit
Në datën 4 nëntor 2020 u mbajt sesioni i themelimit të Këshillit Rajonal të Biznesit. Këshilli Rajonal i Biznesit, anëtarë të së cilës janë përfaqësuesit e 16 kompanive, të cilat zhvillojnë aktivitet në Rajonin e Ballkanit Perëndimor, do të përfaqësojë 400.000 sipërmarrje të të gjithë rajonit dhe do të ketë si synim eleminimin e barrierave për krijimin e një mjedisi biznesi më stimulues dhe më konkurrues në rajon.
Në këtë takim të organizuar në platformë online morën pjesë anëtarët e Bordit Drejtues të Forumit të Investimeve të 6 Dhomave të Ballkanit Perëndimor (WB6 CIF), anëtarët e Këshillit të Biznesit, Z. Thomas Hagleitner, Drejtuesi i DG NEAR i Komisionit Evropian, Znj. Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e RCC, Z. Emir Djikic, Drejtor i Sekretariatit të Cefta dhe përfaqsues të tjerë të lartë të institucioneve ndërkombëtare.
Kompanitë shqiptare, anëtare të këtij Këshilli janë:
- Balfin Group, përfaqësuar nga znj. Edlira Muka
- Agna Group, përfaqësuar nga z. Vasil Naçi
- Infosoft Group, përfaqësuar nga z. Grigir Joti.
Këshilli Rajonal i Biznesit parashikohet si një organ këshillimor i Bordit Drejtues të Forumit të Investimeve të 6 Dhomave të Ballkanit Perëndimor (WB6 CIF), ku vendi ynë përfaqësohet nga Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, znj. Ines Muçostepa.
Së bashku me anëtarët e Bordit Drejtues të Forumit të Investimeve të 6 Dhomave të Ballkanit Perëndimor (WB6 CIF), Këshilli Rajonal i Biznesit do të dalë me propozime dhe sugjerime politikash dhe do të jetë aktiv me qeveritë e rajonit, RCC, CEFTA dhe aktorë të tjerë të interesuar për të krijuar një mjedis biznesi më stimulues dhe më konkurrues në Ballkani Perëndimor.
Për më tepër, roli i Këshillit është të promovojë një dialog të drejtpërdrejtë midis komunitetit të biznesit të Ballkanit Perëndimor dhe vendimmarrësve të BE-së, në mënyrë që të mundësojë integrimin më të shpejtë të rajonit në tregun e vetëm të BE-së, përmes qasjes gjithëpërfshirëse të zgjerimit.
Anëtarët e Këshillit të Biznesit pritet të marrin pjesë në takime vjetore jo vetëm me Anëtarët e Bordit Drejtues të Forumit të Investimeve të 6 Dhomave të Ballkanit Perëndimor (WB6 CIF), por herë pas here edhe me Presidentët ose Kryeministrat e vendeve të rajonit / përfaqësuesit e lartë/ ministrat / grupe interesi të Komisionit Evropian për krijimin e një mjedisi biznesi më stimulues dhe më konkurrues në rajon.
Anëtarët e Këshillit gëzojnë të drejtën të takohen dhe të diskutojnë se si të kapërcejnë pengesat në të bërit biznes në rajon me të gjithë aktorët relevantë, përfshirë zyrtarët e lartë të qeverive në rajon, por edhe të diskutojnë harmonizimin e politikave me acquis të BE-së drejtpërdrejtë me përfaqësuesit e BE-së.
Këshilli, si përfaqësues i sektorit privat rajonal, do të monitorojë zbatimin e Planit të Përbashkët të Veprimit të Tregut, mbështetur nga ekipet e ekspertëve të dhomave anëtare të WB6 CIF.
Përmes nismave dhe propozimeve të tij, bazuar në katër parimet e lirive të BE (qarkullimi i lirë i mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit), Këshilli do të mbështesë zbatimin e Planit të Veprimit mbi Tregun e Përbashkët Rajonal.
Së bashku me Anëtarët e Bordit Drejtues të WB6 CIF, Këshilli do të vendosë sistemin KPI (treguesit kryesorë të performancës) për çështjet më të rëndësishme, të cilat ndikojnë në aktivitetin e biznesit në kuadër të zbatimiit të Planit të Veprimit mbi Tregun e Përbashkët Rajonal (p.sh. pengesat që burojnë nga dinamikat e ndryshme në rajon dhe procesi i harmonizimit me standardet dhe acquis e BE-së, krijimi i one-stop shop në pikat më të shpeshta të kalimit brenda rajonit, njohja reciproke e dokumentacionit tregtar, krijimi i një tregu rajonal të tregtisë elektronike, ulja e kostove të pagesave rajonale, lëvizja e lirë e punës , liberalizimi i tregtisë së shërbimeve, projektet e infrastrukturës rajonale, heqja e barrierave jo-tarifore, etj.).
Nga roli i tij këshillues, Këshilli do të sugjerojë masat e duhura, të cilat do të inkurajojnë dhe lehtësojnë zgjerimin gjithëpërfshirës. Zgjerimi gjithëpërfshirës është parimi i shkurtimit të barrierave në tregti dhe vendosja e mekanizmave të politikës së përbashkët kur plotësohen kushtet për harmonizimin e rregullave të përbashkëta dhe ngritjen e institucioneve, ose praktikave të zbatueshme. Objektivi është perspektiva e ekonomive të Ballkanit Perëndimor si pjesëmarrës të ardhshëm të plotë në tregun e brendshëm.
Këshilli do të jetë aktiv për organizimin e takimeve të rregullta në formën e një Platforme Biznesi BE-WB6 me qëllim komunikimin e pengesave dhe mundësive për bizneset me vendimmarrësit e BE-së. Një dialog i tillë do të shërbente për të kërkuar zgjidhje administrative, rregullatore dhe politike, dhe të mbështesin komunitetet e biznesit në Ballkanin Perëndimor për të kuptuar më
mirë Bashkimin Evropian, legjislacionin e tij dhe për t’i ndihmuar ata që të përgatiten për integrimin në Tregun e Vetëm.
Lista e sipërmarrjeve të Këshillit të Biznesit:
Shqipëri
- Balfin Group
- Agna Group
- Infosoft Group
Bosnje Hercegovinë
- MS Wood
- Sarajevski kiselјak
- Mikroelektronika
Kosovë
- Devolli Corporation
- ALBI Group
Maqedonia e Veriut
- Alkaloid
- M-6/Tikveš
Serbi
- Elixir Group
- Nelt Group
- Milšped Group
Mali i Zi
- Voli
- Trebjesa
- Portonovi Resort
3

