Connect with us

Shkrime

Tirana, gjethe fiku për Regjimin apo Vaterlo e Opozitës

Nga Artan Hoxha 
Në rrekje për të mohuar Regjimin, e kësisoj për të argumentuar vetëfajësinë e Opozitës demokrate për humbjen e thellë më 11 maj 2025, më tej për të rekomanduar se si duhet të jetë e çfarë duhet të bëjë opozita, më së pari largimin e Sali Berishës, në analizë po sillet për argument rasti i qytetit Tiranë – 11 njësitë administrative të saj – veç pjesa urbane e kësaj bashkie.

Thelbi i argumentit: “meqë në këtë pjesë të Shqipërisë – Tirana urbane – njerëzit janë të lirë (mjaftueshëm), nuk ka zbrazje nga emigracioni por rritje popullsie, krimi nuk ka efekt (të fortë), patronazhistët gjithashtu, regjimi s’ka ç’bën, as tremb e as josh (njerëzit janë mjaftueshëm të pavarur prej regjimit), rezultati i ngjashëm në qytetin Tiranë, siç gjetkë në Shqipëri vërteton se nuk është Regjimi por vetë Opozita shkaktare e ketij rezultati”.

Në 11 njësitë administrative të Tiranës, pra vetem në pjesën urbane të kësaj bashkie dhe lidhur vetëm me votat rezidenciale (pa emigrantët), nga rezultatet ende jo finale del se: i) PS mori rreth 48% të votave, afro 125 mijë vota gjithsej, mbi 15 mijë vota më pak se në 2021, rreth 1 pikë përqindje më poshtë në rezultat; ii) PD&LSI&Aleate mori rreth 33% të votave, afro 86 mijë vota gjithsej, mbi 40 mijë vota më pak se në 2021 apo rreth 12 pikë përqindje më poshtë në rezultat; iii) partitë e tjera morën rreth 19% të votave, afro 48 mijë vota gjithsej, afro 14 mijë vota më shumë se në 2021 apo afro 13 pikë përqindje më shumë në rezultat.

Në pjesën tjetër të Shqipërisë, atë pa zonën urbane të Tiranës, lidhur me votat rezidenciale rezulton se: i) PS mori afro 53% të votave, afro 609 mijë vota gjithsej, afro 19 mijë vota më pak se në 2021 por afro 5 pikë përqindje më shumë në rezultat; ii) PD&LSI&aleate morën afro 35% të votave, afro 397 mijë vota gjithsej, afro 207 mijë më pak vota se në 2021 apo 12 pikë përqindje më pak në rezultat; iii) partitë e tjera morën afro 12% të votave, afro 143 mije vota, afro 77 mijë vota më shumë se në 2021 apo 7 pikë përqindje më shumë në rezultat.

Pra, në linja të përgjithshme: i) ndonëse me më pak vota se në 2021 PS ruan rezultatin e lartë në pikë përqindjeje në Tiranë dhe rritet diçka në pjesën tjeter të vendit; ii) PD humbet shumë, shumë vota kundrejt 2021, bie shumë e thuajse njësoj në pikë përqindjeje edhe në Tiranë edhe në pjesën tjetër të vendit; iii) partitë e tjera rriten ndjeshëm në vota dhe në pike përqindjeje, në Tirane më së pari por rriten goxha mirë edhe në pjesën tjetër të vendit, kryesisht në dëm të opozitës demokrate.

Nga këto shifra, nëse Tiranën qytet e pranojmë më cilesitë që pretendojnë kritikët e opozitës natyrisht që konkluzioni vjen vetiu – opozita ka humbur thellë në Tiranë, aty ku bashkësia e votuesve është mjaftueshmërisht e lirë dhe e pavarur nga qeveria (qoftë kjo edhe regjim jo aq demokratik) dhe e pagërryer nga emigracioni ndaj ky rezultat në Tiranë justifikon edhe atë në gjithë Shqipërinë ku krimi e regjimi mund të kenë bërë diçka por jo aq shumë sa të pretendohet se paska ndodhur hataja!

Fakti më i parë që rrëzon këtë pretendim është se në Tiranën qytet kanë votuar në 2025 shumë më pak qytetarë krahasimisht 2021 siç edhe në pjesën tjetër të Shqipërisë. Në qytetin Tiranë në 2021 kanë votuar afro 27 mijë vetë më pak se në 2021, me një rënie prej afro 9%. Në pjesën tjetër të Shqipërisë kanë votuar afro 173 mijë vetë më pak me një rënie prej mbi 12% dhe për gjithë Shqipërinë afro 200 mijë vetë më pak se në 2021 më një rënie dicka më pak se 12%.

Veç meje që i kam mëshuar efektit të emigracionit masiv dhe asimetrik politikisht edhe shumë kohë para zgjedhjeve edhe pas tyre, pas zgjedhjeve kjo rënie kaq e madhe e votuesve 2025 kundrejt 2021 është argumentuar si efekt i emigracionit masiv edhe nga ekspertë të tjerë si Gjergj Erebara apo Blendi Çeka. Rënia e lindjeve në këto 4 vitet e fundit edhe në Tiranë e jo vetëm në pjesën tjetër të Shqipërisë, apo mungesa e fuqisë punëtore edhe në Tiranë dhe nevoja për punëtorë imigrante këtu është nje tjetër tregues që e mbështet këtë konkluzion. Me gjasa emigrimi i votuesve 2021 të Tiranës mund të jetë edhe më i madh se 9% në këto 4 vite por pjesërisht mund të jetë kompensuar me ardhjen në Tiranë të votuesve 2021 nga zona të tjera të vendit.

Këtu kujtoj gjithashtu se në kampionet e sondazheve u raportua se votuesit e PD 2021 rezultonin sistematikisht shumë nën kuotën e rezultateve zgjedhore zyrtare dhe kjo ishte e vërtetë jo vetëm për kampionet kombëtare por edhe për ato në Tiranë. Mirëqenia aktuale apo ajo e pritshme, raportuar pozitive apo shume pozitive nga votuesit e PS 2021 në një numër afro sa dyfishi krahasuar me ata opozitarë 2021, (sipas sondazheve të Euronews), rezulton kaq shumë diferencuese politikisht jo vetëm për gjithë Shqipërinë por edhe në Tiranë.

Po kështu, i gjithë kalvari i padrejtësisë 4-vjeçare mbi opozitën, presioni mbi të edhe nga shteti por edhe nga administrata Biden, s’ka se si të jetë përjetuar ndryshe nga votuesit e saj në qytetin e Tiranës krahasimisht atyre në pjesën tjetër të Shqipërisë.

Të gjitha këto logjikshëm mbështesin tezën se në Tirane kemi pasur jo vetëm emigrim masiv, por edhe fortësisht asimetrik politikisht këto katër vite, ngjashëm siç edhe në pjesën tjetër të Shqipërisë, qoftë për shkak të gjendjes më të vështirë qoftë për shkak të besimit më të vogël për ndryshim në anën opozitare të elektoratit.

Njëherazi, të njëjtët faktorë të këtyre 4 viteve, e bënë pjesën më fluide të elektoratit opozitar 2021, saç në Tiranë aq në pjesën tjetër të Shqiperisë, target më të lehtë si për regjimin ashtu edhe për partitë e tjera (të reja a të vjetra) jashtë grupimit opozitar demokrat. Këto të fundit, si shumë më aktive në Tiranë, tërhoqën më shumë votues nga ky elektorat fluid në Tiranë se sa në pjesën tjetër të Shqipërisë.

Afërmendsh që këto parti kanë marrë diçka edhe nga elektorati socialist 2021, më shumë në Tiranë, me pak në pjesën tjetër, kryesisht nga votuesit që mund të kenë patur iluzionin se ndonjë nga këto parti mund të bëhej faktori përcaktues i qeverisë pas zgjedhjeve (ndryshe quajtur kingmaker) apo nga një pjesë e votuesve që, për një arsye a tjetrën, ishin të pakënaqur me qeverisjen. Mungesa e agresivitetit të regjimit ndaj këtyre partive e bënte të parrezikshme këtë ndërrim vote për këta votues të majtë ndërsa e bënte komode ndërrimin e votës për një pjesë të votuesve të djathtë pragmatistë. Në fakt, regjimit i interesonte rritja e këtyre partive nëse kjo ndodhte kryesisht në kosto të opozitës demokrate me pasoja të vogla në votat për regjimin, dhe kjo shpjegon agresivitetin e ulët të regjimit ndaj këtyre partive, përjashtuar qëndrimit më agresiv ndaj lëvizjes “Bashkë” të Arlind Qorit dhe në ditët e fundit para 11 majit edhe ndaj PSD të Tom Doshit.

Përfitimet e individualizuara apo të kategorizuara të shpërndara nga Qeveria, si thyerje e fortë e parimeve zgjedhore, kanë vepruar po aq mbi votuesit në Tiranë siç edhe në pjesën tjetër të Shqipërisë. Propaganda e shfrenuar qeveritare, amplifikuar nga mediet e kooptuara në masë, ka vepruan e ndikuar ndjeshëm mbi votuesit në Tiranë siç edhe në pjesën tjetër të Shqipërisë. Për c’arsye do të kishim ndonjë aplitudë force e ndikimi ndjeshëm më të dobët të këtij sistemi faktorësh në Tiranë kundrejt pjesës tjetër të vendit?

Sistemi i patronazhimit rezulton kapilar dhe efektiv edhe në Tiranë. Hallet dhe nevojat e votuesve në Tiranë janë të ngjashme me ato të pjesës tjetër të Shqipërisë, edhe zgjidhja e tyre përmes ndërhyrjes abuzive dhe preferenciale tek institucionet shtetërore ndjek të njëjtën procedure si kudo. Rasti i Lapsi.al që zbuloi se që në 2021 sistemi i patronazhimit rilindës posedonte të dhënat personale të të gjithë votuesve të qarkut Tiranë, afro 900 mijë, tregon se ky sistem me gjasa është ngritur më së pari në Tiranë dhe e ka përmirësuar aftësinë e dedektimit të preferencës votuese edhe në Tiranë, jo vetëm në pjesën tjetër të Shqipërisë dhe pra, është njësoj i aftë të ofrojë kulaç apo të tundë kërbaç për të arritur qëllimin e vet rast-për-rast, edhe në Tiranë. Skemat e tipit 5D të zbuluara në Bashkinë Tiranë pas zgjedhjeve 2023 apo zyrat elektorale klandestine rilindëse të zbuluara në zgjedhjet 2025 e deri tek fryrja me punësime të shumta të administratës lokale të Bashkisë Tiranë, siç edhe në bashkitë e tjera të vendit, tregon se miklimi (kulaçi) apo kërcënimi (kërbaçi) patronazhist i Regjimit Rilindës vepron fuqishëm edhe në Tiranë, jo vetëm në pjesën tjetër të Shqipërisë.

Sa për krimin e organizuar, ai Tiranën e ka: i) tregun kryesor të mallit të vet, drogës; ii) vendin kryesor të investimeve të veta, kryesisht në ndërtim; iii) hapsirën kryesore të lidhjeve të veta, jep e merr me pushtetin; ndaj s’ka se si që krimi i organizuar të zgjedhë që të jetë aktiv në periferinë e vendit në mbështetje të regjimit dhe inaktiv në zemrën e tij, në Tiranë. Ekspertët e kriminalitetit në mediet e ndryshme i dinë me emra dhe me zona se ku veprojnë edhe në Tiranë eksponentët e krimit të organizuar, sic dinë edhe mënyrat, ca të njëjta e ca më fine e me finoke, të veprimit të tyre lidhur me zgjedhjet edhe në Tiranë. Për aq sa kanë patur mundësi, leje a kurajo, i kanë thënë ca nga këto fakte edhe në debatet televizive. E këtu, kur kujtoj se krimi i organizuar ndërhyri vite më parë në zgjedhjet universitaro-akademike, më duket fare naïv mendimi se në Tiranë krimi i organizuar nuk veproka ndjeshëm, siç në pjesën tjetër të Shqipërisë lidhur me zgjedhjet administrativo-politike.

Tirana nuk është, e nuk ka se si të jetë, ishulli i lulëzuar i demokracisë, barazisë, drejtësisë, ndershmërisë, trimërisë dhe përgjeshmërisë elektorale, politike, shoqërore, institucionale apo individuale. Tirana nuk ka se si të jetë aq ndryshe nga pjesa tjetër e Shqipërisë ndaj, ose pranoni se Regjimi Rilindës, në fuqizim që nga 2021, fitoi ndeshjen e radhës për të njëjtat arsye e me të njëjtat metoda në Tiranë siç edhe në Shqipëri ose mohoni Regjimin Rilindës dhe ju del vetiu se Opozita i humbi zgjedhjet për faj të vet në Tiranë, për rrjedhoje s’ka justifikim për humbjen as në gjithë Shqipërinë.

Ndaj, në çdo rast, Tirana nuk ka pse të jetë as gjethja e fikut e Regjimit as Vaterlo-ja e Opozitës.

Advertisement