Connect with us

Politike

“Tirana nga ajri”/ Rama: Historia e një qyteti që nuk i ka thënë të gjitha

 “Tirana nga Ajri” është dokumentari prezantues i ndryshimeve spektakolare të kryeqytetit, përmes fotove të realizuara nga fotografi i ajrit Alket Islami të përmbledhura në një libër,album me pamje të Tiranës së viteve ‘90, të krahasuara me kryeqytetin e ditëve të sotme.

Në shfaqjen e dokumentarit ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama:

Që kur Alketi erdhi e më tha që dua të bëj prezantimin e librit, kushti i parë ishte; jo tavolina rrumbullake, jo njerëz në këmbë, jo kikirikë dhe patjetër një mundësi që njerëzit të vijnë, të marrin një shije e të largohen të pa bezdisur.

Nuk kam gjë tjetër për të thënë për Tiranën. Mund t’ju them që nuk kam asnjë konflikt interesi nëse ju bëj një thirrje; blini librin para se të ikni në shtëpi. Është një kontribut për këtë dëshmitar fluturës të Tiranës, por dhe të Shqipërisë më gjerë, por dhe për gjithë zogjtë që ka mbledhur rreth vetes e që pjesën e ditës që ne e kalojmë në tokë e rëndom ulur, e kalojnë në ajër mbi kokat tona e na japin mundësinë që të kemi këtë lloj trashëgimie që e parë në albumet e Alketit, merr një rëndësi të veçantë.

Fatkeqësisht, një aksident për të cilin nuk jam i autorizuar të jap detaje, ka djegur një pjesë të këtij arkivi që i përkiste Tiranës së viteve ’90 e për këtë arsye ne nuk kishim mundësinë që t’i përfshinim në libër sepse do të ishte shumë e dëshiruar që kontrasti e që ajo që ne kemi pasur fatin e mirë e të keq që të shohim në dy epoka, të ishte prezente në mënyrë ulëritëse, gjë që modestish, me pak detaje, u përpoqëm ta bëjmë me fotografitë e kahershme që erdhën në dorën e gjysmës sime më të mirë, si rezultat i magnetizmit që ka dora e saj për të mbledhur artefakte të lidhura me historinë dhe me trupin e Tiranës.

Në fund fare dua të them që kjo është historia e një qyteti që nuk i ka thënë absolutisht të gjitha, madje unë besoj se në 5-6 vitet e ardhshme, këto që shohim do të jenë një pjesë, jo shumica e atyre që do të shohim, sepse ka shumë akoma projekte e shumë akoma dëshirë dhe ambicie dhe ka dhe një lloj gare që është futur edhe në shpirtin e sipërmarrjes që të bëjnë ndërtesa jo thjesht të mira, por edhe të bukura, duke i dhënë Tiranës mundësinë që të bëhet një destinacion edhe për këtë arsye. Gjë e paimagjinueshme kur Alketi më vinte mua nga mbrapa me këtë parashutën. Destinacion arkitektonik, një vend në mes të Ballkanit, që do disponojë një koleksion veprash të arkitekturës të mbledhura sëbashku nga arkitektë nga më të mirët, jo thjesht më të famshmit, se ka dhe të famshëm që nuk janë të mirë, të kësaj kohe. E që do të krijojë një trashëgimi të denjë për gjeneratat e tjera.

Shumë faleminderit për durimin dhe dua të falënderoj Erionin për punën, për fjalët dhe mbi të gjitha dua të falënderoj edhe atë që Makiaveli thotë, është gjysma e rrugëtimit të një lideri, që është fati dhe në një farë mënyre për Tiranën janë puqur yjet e është bërë e mundur që të krijohet një alkimi e plotë dhe ndërveprim intensiv dhe i bazuar në të kuptuarit e gjërave njësoj dhe i bazuar në një vizion të ndarë plotësisht mes qeverisë dhe bashkisë, ka qenë kyç në këtë e do të mbetet kyç në këtë histori. Kështu që unë për veten time nuk e dyshoj fare që nëse sot ne ndjejmë kënaqësinë që kemi dalë nga ai llum i tmerrshëm ku e hapëm shekullin e ri në Tiranë, nesër do të jemi banorë dhe qytetarë të njërit nga kryeqytetet më të bukur të Europës e patjetër, pa diskutim, se kjo nuk është e vështirë në fund fare edhe pse rajoni jonë ka disa kryeqytete ndër të cilat njëri është i madh dhe me histori të gjatë, por prap se prapë Tirana duhet të jetë metropoli më atraktiv i Ballkanit dhe do të jetë kryeqyteti europian i gjithë rajonit tonë.

Advertisement