Politike
Tirana pret sinjalin final nga Brukseli për Grupkapitullin 5
Procesi për hapjen e Grupkapitullit 5 të negociatave të anëtarësimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian – që përfshin bujqësinë dhe kohezionin – pritet të marrë drejtim të qartë pas mbledhjes të grupit të punës për zgjerimin të Këshillit të BE-së (COELA).
Sipas burimeve diplomatike në Bruksel, gjatë takimit pritet të diskutohet dhe, nëse arrihet konsensusi, të miratohet pozicioni i përbashkët i BE-së, çka do të hapte rrugën për zhvillimin e Konferencës së radhës Ndërqeveritare në muajin nëntor.
Një delegacion i COELA-s mbërriti javën e kaluar në Tiranë, në një vizitë që, përtej agjendës së përgjithshme të negociatave të anëtarësimit, u fokusua në një nga çështjet më të debatueshme të procesit të integrimit: përdorimin e fondeve bujqësore IPARD nga autoritetet shqiptare.
“Vizita e COELA-s nuk do të fokusohet vetëm në këtë temë, por disa shtete anëtare – si edhe Komisioni – e kanë theksuar në mbledhjen e fundit se do të kërkojnë garanci për fondet IPARD gjatë udhëtimit në Tiranë”, tha burimi diplomatik për Albanian Post.
Megjithëse Shqipëria ka përmbushur të gjitha kërkesat teknike për hapjen e Grupkapitullit 5 – që mbulon bujqësinë dhe kohezionin – përparimi është bllokuar për shkak të vlerësimeve politike mbi menaxhimin e fondeve IPARD.
Burime diplomatike në Bruksel theksojnë se “procesi teknik është formalizuar dhe përmbyllur” përmes raundeve të pyetësorëve të dërguar nga Komisioni Evropian dhe përgjigjeve të marra nga pala shqiptare, duke nënkuptuar përmbushjen e kriterit të tretë të Kopenhagës – atij që lidhet me zotësinë për të zbatuar legjislacionin e BE-së.
Por, sipas të njëjtave burime, pengesa aktuale lidhet me kriterin e parë të Kopenhagës, që mat stabilitetin institucional dhe sundimin e ligjit – ku besueshmëria në përdorimin e fondeve publike është thelbësore.
Burimet diplomatike të kontaktuara nga Albanian Post theksojnë se vigjilenca e shtuar e disa vendeve anëtare nuk ka të bëjë më me “kapacitetet ligjore apo institucionale”, por me “besueshmërinë politike të institucioneve shqiptare në administrimin e fondeve bujqësore”.
Në konferencën e fundit ndërqeveritare, Shqipëria hapi Grupkapitullin 4 “Agjenda e gjelbër dhe lidhja e qëndrueshme”.