Kronike
Trafikonin drogë me varka peshkimi, 4 të arrestuar
Njoftimi i policisë:
DVP Korçë/Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “Restart 15”, 26 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa.
Vepronin në formën e grupit, për të magazinuar lëndë narkotike, pranë Qendrës së Rasatit të Koranit, në Pogradec, dhe për ta trafikuar atë, me varka peshkimi, drejt RMV-së, arrestohen 4 shtetas.
Nga hetimi proaktiv njëmujor rezultoi se 4 të arrestuarit (mes tyre dy punonjës të Qendrës) e kryenin këtë veprimtari kriminale, kundrejt pagesës 500 euro/kg lëndë narkotike.
Së bashku me lëndën narkotike, sekuestrohen 1 varkë peshkimi, 2 automjete dhe 4 celularë.
Si rezultat i një hetim intensiv, proaktiv, të ndjekur për 1 muaj, nga Policia dhe Prokuroria e Korçës, mbi informacione të siguruara se disa shtetas magazinonin lëndë narkotike, me qëllim trafikimin drejt RMV-së, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, finalizuan fazën e pesëmbëdhjetë të operacionit policor antidrogë të koduar “Restart”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit A. T., 51 vjeç dhe A. T., 43 vjeç, vëllezër, të dy banues në fshatin Piskupat, si dhe shtetasit R. S., 45 vjeç dhe T. B., 53 vjeç, të dy banues në fshatin Lin.
Nga hetimet intensive të kryera në kuadër të këtij operacioni rezultoi se këta shtetas vepronin në mënyrë të organizuar, për të trafikuar lëndë narkotike cannabis sativa, drejt RMV-së, kundrejt pagesës 500 euro/kg lëndë narkotike.
2 vëllezërit, shtetasit A. T. dhe A. T. siguronin lëndën narkotike që do të trafikohej dhe e magazinonin atë në afërsi të Qendrës së Rasatit të Koranit, në Pogradec (qendër ku ishin të punësuar 2 të arrestuarit, shtetasit A. T. dhe T. B.). Më pas lënda narkotike trafikohej drejt RMV-së, me varka peshkimi që drejtoheshin nga shtetasit R. S. dhe T. B.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 26 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, 1 varkë peshkimi, 2 automjete dhe 4 celularë.
Vijojnë hetimet për identifikimin dhe për arrestimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.