Kosova
Tragjikomedi dhe marrëzi politike/ Analistët për deklaratat e Gërvallës
“Kulmi i skandalit”, “më mirë të mos deklarohet për asgjë”, “gafë e radhës”, “tragjikomedi”, “marrëzi politike”.
Këto janë vetëm disa nga cilësimet e analistëve politikë, ish-diplomatëve e ligjëruesve universitarë të artikuluar pas intervistës së fundit të ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvallës, dhënë për gazetën austriake, Der Standard.
Larg realitetit politik, Gërvalla e cila supozohet të jetë koka e politikës së jashtme të Kosovës, ka kritikuar ashpër gjithë diplomacinë perëndimore, duke i konsideruar ata si një trupë që “s’dëshiron të shohë dhe të dëgjojë” dhe si një grup që bënë “gabime të rënda strategjike”, të cilat mund ta fusin në luftë rajonin e Ballkanit
Për sociologun dhe analistin politik, Artan Muhaxhirin, deklaratat e kryediplomates në gazetën austriake kanë shkaktuar të qeshura keqardhëse nëpër kancelaritë amerikane dhe evropiane.
Gërvalla – e cila potencoi në këtë intervistë se “Kosova nuk mund të bëjë vetëvrasje politike as për miqtë e saj më të ngushtë”, duke iu referuar kërkesave të BE dhe SHBA – për Blerim Canajn, ish-konsullin e Kosovës në Gjermani, deklarata është kulmi i skandalit
Sipas Muhaxhirit, vazhdimi tragjikomik i kësaj arrogance nga ana e Gervallës, do të rezultojë me suspendim të dialogut – projektit më të rëndësishëm gjeostrategjik dhe gjeopolitik në Ballkan dhe më gjerë dhe rrjedhimisht edhe me thellim të izolimit të Kosovës.