Kosova
Tronditet Kosova: Vritet një person, plagoset shoku i tij dhe një grua kalimtare
Një vrasje ka tronditur mbrëmjen e djeshme Prishtinën, ku për pasojë një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur, përfshirë një grua kalimtare.
Të shtënat me armë janë raportuar në rrugën “Jeronim De Rada” në Prishtinë.
Zëdhënësi i Policisë, Agron Borovci, ka konfirmuar për mediat në Kosovë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:15 në rrugën “Jeronim De Rada”.
Viktima është identifikuar shtetasi Egzon Haziri, rreth 30-vjeç, i cili humbi jetën pas plagëve të marra. Ndërkohë të plagosur kanë mbetur edhe dy persona tjerë, përfshirë një kalimtare të rastit.
Dy grupet mësohet se janë përfshirë në konflikt dhe janë përplasur me njëri-tjetrin e më pas sherri ka degraduar në përdorimin e armës.
Ndërsa kalimtarja, e cila u plagos, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po lufton për jetën në spitalin e Urgjencën e QKUK.
“Rreth orës 21:15, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri të ndodhur në rrugën “Jeronim De Rada” në Prishtinë.
Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se për pasojë dy persona kanë marrë plagë nga arma e zjarrit ku fatkeqësisht njëri nga ta ka ndërruar jetë.
Ndërkohë që e plagosura është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor, policia po vijon punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore me qëllim identifikimin e të dyshuarve të implikuar në rast, si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, tha zëdhënësi i policisë.