Politike
Tronditje në burg/ Meta shpërthen pas zbulimit të kartës misterioze, me 240 mijë dollarë shpenzime

Ndërkohë që ish-presidenti Ilir Meta kërkon pafajësinë, një tjetër episod korrupsioni dyshohet nga prokuroria e SPAK.
Dyshohet se me një kartë të vënë në dispozicion nga një biznesmen shqiptaro amerikan Adrian Shatku, ish-çifti Meta ka shpenzuar 240 mijë dollarë.
Në hetimet e mëparshme ishte zbuluar një kartë tjetër “American Express” që gjithashtu përdorej dhe mbahej nga i njëjti biznesmen.
SPAK ka administruar disa letërporosi nga disa shtete të huaja mbi pagesat që janë kryer me këtë kartë të dytë online bankare.
Vazhdimisht Meta ka mohuar të ketë lidhje me këtë kartë bankare duke u distancuar nga veprimet e ish-bashkëshortes.
Jo më larg se dje, kreu i Partisë së Lirisë reagoi sërish nga burgu, ku zbulimin e kartës nga SPAK, e cilësoi si ngjarjen më shokuese të jetës së tij.
Tre ditë më parë, gjatë seancës në GJKKO, Meta parashtroi argumentet para trupës gjyqësore se përse po mbahet pa të drejtë në burg.
“Ky konkluzion është tërësisht tendencioz pasi nuk ekziston asnjë provë apo indicie që Z. Meta të ketë qenë në dijeni të përfitimeve të paligjshme apo të ligjshme të ish-bashkëshortes nga A.Shatku. Referenca për ndarjet e përqindjeve në celularin e Znj. Kryemadhi që pretendon SPAK-u, i takon Znj. Kryemadhi ta sqarojë.
Akoma më tendencioze është përpjekja e prokurorëve për të paraqitur Z. Meta si bashkëpërfitues apo në dijeni të kartave të paligjshme që pretendon akuza, të cilat edhe vetë sipas saj janë vetëm në emër të Monika Kryemadhit, e cila sipas SPAK, rezulton edhe përfituese e tyre.
Zoti Meta jo vetëm që s’ka qenë në dijeni të kësaj marrëdhënieje të paligjshme , por pasi ka mësuar se pas kontrollit në banesën e nënës së Znj. Kryemadhi, ekzistonte një kartë e tillë, por e papërdorur, sipas zonjës Kryemadhi, vendosi edhe divorcin ligjor me të duke e vlerësuar si shkelje të rëndë të besimit, të ligjit për një politikane me përvojë, por edhe në dëm të kauzave të tij politike“-deklaroi Meta

