Connect with us

Kosova

Trump e ndali luftën – Kurti e sabotoi paqen: E vërteta që po fshihet nga Presidenca dhe BE

Nga Hisen Berisha

Në një kohë kur Bashkimi Evropian shfaqej i paaftë për të menaxhuar krizën midis Kosovës dhe Serbisë, dhe kur tensionet ishin duke u rritur në veri të Kosovës me ndërhyrje të vazhdueshme të strukturave ilegale serbe të mbështetura nga Beogradi, administrata Trump vendosi të veprojë. Jo me fjalë, por me diplomaci të drejtëpërdrejtë, të shpejtë dhe të orientuar kah zgjidhja konkrete.

Siç shkroi ai: citimi i plotë dhe fjalë për fjalë, ashtu si u postua nga Donald Trump në Truth Social më 15 qershor 2025:
“Gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova ishin duke e përshkallëzuar situatën me intensitet, siç kanë bërë për shumë dekada, dhe ky konflikt i vjetër ishte gati të shpërthente në luftë.”

“Unë e ndala.” – kështu u shpreh Presidenti Trump në deklaratën e tij, duke aluduar në Serbinë dhe pretendimet atëbotë për sulm ndaj Kosovës. Në atë periudhë, Komandanti i KFOR-it, në një takim të ngushtë me Ministrin e Mbrojtjes së Kosovës dhe Oficerin Shtabor në Ministrinë e Mbrojtjes, na informoi se: Serbia kishte planifikuar të sulmonte Kosovën – por ia kishin bërë të ditur se “çdo lëvizje e trupave në drejtim të Kosovës, do t’iu godasim në Beograd.”
Presidenti Trump, në deklaratën e tij “Unë e ndala”, përfshiu – përveç ndaljes së Serbisë – edhe ndaljen e Qeverisë Kurti 1 në ditën e 52-të të qeverisjes, e cila po e çonte Kosovën drejt përplasjes së PUN (Praninë Ushtarake Ndërkombëtare) prezente në Kosovë, me Serbinë dhe interesat ruse në Ballkan.
Më tej, Presidenti Trump thekson se: “Biden e ka dëmtuar perspektivën afatgjatë me disa vendime shumë të marra, por unë do ta rregulloj, përsëri!”

Kurse lajthitja e Presidentes së vendit, znj. Osmani, dhe atij të Serbisë, Vuçiq, si dhe e analistëve të shumtë serbë e shqiptarë, ka qenë i qëllimshëm pasi që pyetja e gazetares së Euronews, Albana, ka qenë e qartëse: “Presidenti Trump ka deklaruar se e ka ndalur sulmin e Serbisë ndaj Kosovës, para tre javësh” – që i bie më 15 qershor 2025 – dita kur është bërë deklarata – e që i shtyu në reagime të tilla.

Presidentja, e keqinformuar dhe me deficit autoriteti dhe ndjenjë faji për reagimet ndaj Presidentit Trump gjatë nominimit të tij si kandidat presidencial, qëndrimet jo mbështetëse gjatë fushatës zgjedhore, fyerjet ndaj të dërguarit të tij special – z. Richard Grenell – me qëndrimin e saj dhe partnerit të koalicionit z. Kurti, bashkë me Vuçiqin në Beograd, e kundërshtuan hapur Marrëveshjen e Washingtonit, duke e refuzuar zbatimin e saj si “cenuese e rendit kushtetues”, tentoi të marrë protagonizëm politik, qoftë edhe përmes shtrembërimit të deklaratës së Presidentit Trump, në një audiencë universitare në SHBA.

Me këtë veprim u përpoq të përmirësonte imazhin e saj tani, kur nuk ka më bazë politike në koalicionin LVV–Guxo. Kjo tregon se sëmundja për karrierë tejkalon çdo kufi të paskrupullsisë. U shpreh e sigurt për një çështje për të cilën s’ka pasur fare informacion atëbotë, ashtu siç nuk ka pasur informacion as partneri i saj Kurti, për shkak të mungesës së besimit ndaj tyre.

Duke pretenduar se këto çështje janë kaluar në “harresë” në DASH apo inteligjencën amerikane, provoi t’i vë në lajthitje, derisa të krijojë një bazë të re politike – një Parti të financuar nga Orienti.
Po ashtu, që nga ndalja e këtij pushteti, me masat sanksionuese të BE-së, me miratimin e heshtur të SHBA-së, është përpjekur të krijojë një shkëputje nga politikat qeverisëse duke u kthyer në zë kritik ndaj tyre, marrëveshjeve ndërkombëtare antikushtetuese dhe detyrimet që kanë marrë në partneritet me Kurtin – të cilat janë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe gjeostrategjinë amerikane për rajonin dhe Kosovën – shtet i pavarur, demokratik dhe i njohur nga SHBA në kufijtë ekzistues.

Ky manipulim deklarativ i Presidentes dhe heshtja injoruese e Kurtit dhe Albulena Haxhiut shkon përtej mosinformimit! Kjo retorikë është një mekanizëm për të mbuluar angazhimin e tyre kundër të paraburgosurve në Hagë — me theks të veçantë te Presidenti Thaçi dhe pengimi i tij në ushtrimin e përgjegjësive në kohën kur duhej të nënshkruhej Marrëveshja e Washingtonit me njohje reciproke, përmes një aktakuze të publikuar me nxitim, e cila nuk u formalizua as pas më shumë se një viti.

Kjo e vërtetë nuk është vetëm çështje e një interpretimi medial, as e një “lapsusi diplomatik” siç kanë tentuar ta paraqesin zyrtarët evropianë. Kjo është çështje e vetë sigurisë së Kosovës dhe e qëndrimit strategjik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Ballkanit. Qëndrimi i mëvonshëm i z. Richard Grenell – i cili e sqaroi qartë se deklarata e Presidentit Trump i referohej kontekstit të një zhvillimi gjatë mandatit të parë të Presidentit Trump dhe ndërhyrjes për të parandaluar një përshkallëzim të rrezikshëm – duhet të shërbejë si dëshmi për t’i dhënë fund spekulimeve.

Sqarimi i tij, i bërë publikisht, por edhe i shpërndarë nga mediat ndërkombëtare, e vërteton njëherë e përgjithmonë se Marrëveshja e Washingtonit nuk ishte thjesht një akt formal ekonomik – por një operacion diplomatik me përmasa gjeopolitike, për të ruajtur paqen dhe për të frenuar ndikimin rus në rajon.

Tendenca për ta relativizuar e shtrembëruar këtë ndërhyrje – qoftë nga Presidenca, qoftë nga disa zëra në BE apo të ashtuquajtur “ekspertë të pavarur” – është përpjekje e qëllimshme për të fshehur dështimin e tyre dhe për të minimizuar rolin amerikan në ruajtjen e stabilitetit në Kosovë. Por historia nuk mund të zëvendësohet me retorikë.

Sot, më shumë se kurrë, është koha që institucionet e Kosovës t’i rikthehen seriozitetit dhe partneritetit strategjik me SHBA-në – jo me devijime ideologjike, por me respekt për të vërtetën historike dhe angazhimet që kanë shpëtuar jetën e qytetarëve tanë dhe kanë ruajtur paqen në rajon.

Advertisement