Connect with us

Bota

Trump flet hapur: Kurdët në Iran të zgjedhin një anë, ose me Amerikën e Izraelin, ose me ajatollahët

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se mbështet një sulm nga forcat kurde ndaj Iranit, duke theksuar në një intervistë me Reuters se “do të ishte shumë mirë nëse ata do të donin të bënin diçka të tillë”.

Në telefonatat e kësaj jave me udhëheqësit e pakicës kurde në Iran dhe Irakun fqinj, Trump thuhet se ofroi “mbulim të gjerë ajror amerikan” dhe mbështetje të tjera për kurdët iranianë për të marrë kontrollin e zonave të territorit perëndimor iranian, sipas njerëzve të njohur me telefonatat.

“Kërkesa amerikane ndaj kurdëve irakianë është të hapin rrugën dhe të mos pengojnë” grupet kurde iraniane që mobilizohen në Irak, “ndërsa ofrojnë edhe mbështetje logjistike”, tha një zyrtar i lartë i Unionit Patriotik të Kurdistanit, një nga dy partitë kryesore politike që qeverisin rajonin gjysmë-autonom kurd të Irakut.

“Trump ishte i qartë në thirrjen e tij të dielën” drejtuar udhëheqësit të Unionit Patriotik të Kurdistanit (PUK), Bafel Talabani. “Ai na tha se kurdët duhet të zgjedhin një anë në këtë betejë , ose me Amerikën dhe Izraelin ose me Iranin”, tha zyrtari – një nga disa zyrtarë kurdë dhe amerikanë që folën në kushte anonimiteti për çështje të ndjeshme.

“Ne do të kemi një rol në zgjedhjen e një udhëheqësi të ri”

Trump tha sot se “operacionet në Iran po ecin përpara afatit”, megjithatë, pa dhënë një afat të qartë kohor për përfundimin e konflikteve.

Ai siguroi gjithashtu se “SHBA-të kanë sasi të mëdha municionesh dhe industria e mbrojtjes po rrit prodhimin”.

Lidhur me ndikimin në sektorin e energjisë, ai pohoi se çmimet e benzinës nuk janë rritur ndjeshëm deri më tani dhe shtoi se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e hapur.

Presidenti amerikan tha më në fund se Uashingtoni do të ketë një rol në zgjedhjen e një udhëheqësi të ri në Iran në një mënyrë të ngjashme “si në Venezuelë”.

Advertisement