Bota
Trump godet me grushtin ekonomik të shekullit/ Vendos tarifa të reja gjithëpërfshirëse për 92 shtete

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që vendos tarifa që variojnë nga 10% deri në 41% për importet nga dhjetëra vende partnere tregtare, në përpjekjen e tij të fundit për të riformësuar ekonominë globale.
Megjithatë, në një lehtësim të vogël që hap derën për negociata të mëtejshme, Shtëpia e Bardhë njoftoi se këto masa do të hyjnë në fuqi pas një jave, dhe jo të premten, siç ishte afati i vendosur më parë nga Trump.
Normat e reja, të cilat Trump i sheh si në dobi të eksportuesve amerikanë, shkaktojnë një valë të re pasigurie për dhjetëra vende, përfshirë aleatët e hershëm të SHBA-së. Ato gjithashtu kanë rritur frikën e inflacionit në SHBA.
Tarifat u vendosën në:
25% për eksportet e Indisë drejt SHBA-së,
20% për Tajvanin,
30% për Afrikën e Jugut.
Zvicra do të përballet me një normë prej 39%.
Afati për një marrëveshje tarifore me Meksikën u zgjat me 90 ditë të tjera.
Tarifa e Brazilit u vendos në 10%, por një urdhër i mëparshëm i Trump kishte vendosur një tarifë prej 40% për disa mallra braziliane, si dënim për ndjekjen penale të ish-presidentit Jair Bolsonaro, për përpjekjen e tij për të përmbysur zgjedhjet që humbi dhe për nxitjen e mbështetësve të tij që sulmuan selinë e qeverisë.
Në veçanti, Shtëpia e Bardhë njoftoi se importet kanadeze do të përballen me tarifa prej 35%, në vend të 25% aktuale. Urdhri tha se Kanadaja “nuk kishte bashkëpunuar” në frenimin e fluksit të fentanilit në SHBA. Trump kërcënoi se masa e Kanadasë për njohjen e një shteti palestinez do ta bënte “shumë të vështirë” arritjen e një marrëveshjeje tregtare.
Disa nga vendet më të varfra dhe të shkatërruara nga lufta në botë u goditën me norma ndëshkuese, përfshirë:
Sirinë me një tarifë prej 41%,
Laosin dhe Mianmarin me tarifa prej 40%,
Libinë me 30%,
Irakun me 35%,
Sri Lankën me 20%.
Vendit të vogël afrikan, Lesoto, iu aplikua një tarifë e modifikuar prej 15%, pasi në prill kërcënohej me tarifë prej 50%, më e larta nga çdo partner tregtar i SHBA-së.
Njoftimi fillestar për tarifat tre muaj më parë shkaktoi rënie në tregjet financiare, por reagimi i fundit ishte më i ulët. Aksionet dhe kontratat e ardhshme ranë modestisht në tregtinë e së premtes në Azi.
Tarifat për 68 vende dhe Bashkimin Evropian me 27 anëtarë do të hyjnë në fuqi brenda shtatë ditësh, sipas urdhrit, dhe jo në afatin fillestar të së premtes. Kjo shtyrje reflekton nevojën e qeverisë për më shumë kohë për të harmonizuar tarifat, tha një zyrtar i lartë anonim.
Trump deklaroi se tarifat po shkonin “shumë mirë, shumë lehtë”. Në një intervistë me NBC News ai shtoi se ishte “tepër vonë” që vendet e përmendura në urdhër të shmangnin tarifat, por se ai ishte i hapur për oferta.
“Kjo nuk do të thotë që dikush nuk mund të vijë pas katër javësh dhe të thotë se mund të bëjmë një marrëveshje,” tha ai.
Tarifat e fundit vijnë në kohën kur Trump përballet me sfida ligjore lidhur me përdorimin e fuqive emergjente ekonomike. Pas një vendimi të një gjykate më të ulët që tha se presidenti tejkaloi autoritetin e tij, Gjykata e Apelit dëgjoi argumentet për çështjet kundër tarifave të përgjithshme që Trump ka vendosur ndaj vendeve të ndryshme.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se vendet që nuk kanë marrë më parë një letër për tarifat nga Trump ose nuk kanë negociuar një kuadër tregtar do të njoftohen për tarifat e mundshme, qoftë me letër apo urdhër ekzekutiv.
Disa nga vendet e listuara kanë arritur marrëveshje për ulje tarifash, si Pakistani me tarifa prej 19%, ndërsa të tjerët nuk kanë pasur mundësi të negociojnë me administratën Trump.
Vendet që nuk përmenden në urdhër do të përballen me një tarifë bazë prej 10%, sipas administratës.
Kina ka një afat të veçantë për tarifat e saj më të larta, më 12 gusht, me një zgjatje të armëpushimit të rënë dakord në parim, por ende pa miratimin e Shtëpisë së Bardhë.
Presidenti i Tajvanit, Lai Ching-te, e përshkroi tarifën ndaj vendit të tij si “të përkohshme” dhe tha se ekziston “mundësia për ulje të mëtejshme nëse arrihet një marrëveshje”. Ai shtoi se qeveria do të “përpiqet për një tarifë të arsyeshme”.
Ndërsa Tajlanda mirëpriti taksën e saj prej 19% si një “sukses të madh”. “Kjo përfaqëson një qasje fitimprurëse për të dyja palët, që synon ruajtjen e bazës së eksportit të Tajlandës dhe stabilitetin ekonomik afatgjatë,” tha zëdhënësi i qeverisë, Jirayu Huangsab.
Presidenti amerikan tha se kishte vendosur t’i jepte më shumë kohë Meksikës për shkak të kompleksiteteve të marrëdhënieve tregtare. Ai shkroi në mediat sociale:
“Do të flasim me Meksikën gjatë 90 ditëve të ardhshme me qëllim nënshkrimin e një Marrëveshjeje Tregtare brenda periudhës 90-ditore, ose më gjatë.”
Kjo shtyrje shmang një tarifë prej 30% për shumicën e mallrave jo-automobilistike dhe jo-metalike meksikane në përputhje me Marrëveshjen SHBA-Meksikë-Kanada dhe erdhi pas një telefonate midis Trump dhe presidentes meksikane Claudia Sheinbaum.
“We avoided the tariff increase announced for tomorrow,” shkroi Sheinbaum në rrjetet sociale, duke e përshkruar telefonatën si “shumë të mirë”. Norma e Meksikës do të vazhdojë të jetë 25% për 90 ditë të tjera.
Pak më shumë se dy javë më parë, Trump kërcënoi BE-në dhe Meksikën me tarifa prej 30% për shumicën e eksporteve në SHBA nga 1 gushti, por të dielën e kaluar ai arriti një marrëveshje me Brukselin për një normë bazë prej 15% duke filluar nga 1 gushti.
Shtyrja për Meksikën mund të nxisë tallje se “Trump gjithmonë shmang afatet”, por pas presionit të fortë ndaj ekonomive kryesore, përfshirë BE-në dhe Japoninë, strategjia e tij po jep rezultate.
Një zyrtar amerikan tha se më shumë marrëveshje tregtare priten të njoftohen. “Kemi disa marrëveshje,” tha ai. “Dhe nuk dua t’i paraprij Presidentit të SHBA-së në njoftimin e tyre.”
Kur Trump njoftoi më 2 prill “ditën e çlirimit”, ai tha se do të vendoste tarifa ndëshkuese “reciproke” ndaj partnerëve tregtarë në të gjithë botën, si hakmarrje për “vite plaçkitjeje, grabitjeje dhe shkatërrimi të SHBA-së”.
Deri më 31 korrik, vetëm tetë vende ose blloqe ekonomike kishin arritur marrëveshje zyrtare me Shtëpinë e Bardhë si Mbretëria e Bashkuar, Vietnami, Indonezia, Filipinet, Koreja e Jugut, Japonia, Pakistani dhe Bashkimi Evropian.
Ministri i Tregtisë i Australisë, Don Farrell, deklaroi të premten se Shtëpia e Bardhë kishte konfirmuar se asnjë vend nuk kishte tarifa reciproke më të ulëta se Australia, duke sugjeruar se tarifat bazë prej 10% për mallrat australiane ishin lënë të pandryshuara nga Trump.
Javën e kaluar, Australia hoqi disa kufizime për importet e mishit të viçit nga SHBA, duke hapur mundësi për lehtësimin e bisedimeve tregtare me administratën Trump. Megjithatë, kryeministri Anthony Albanese theksoi se vendimi ishte marrë më parë dhe nuk kishte lidhje me ndonjë negociatë tregtare aktuale.
Kamboxhia dhe Tajlanda ishin gjithashtu afër përfundimit të një marrëveshjeje, sipas sekretarit të Tregtisë, Howard Lutnick, në fillim të kësaj jave. Megjithatë, të dy vendet u përfshinë në urdhrin ekzekutiv të së enjtes me tarifa të përcaktuara në nivelin 19%. Kryeministri kamboxhian, Hun Manet, e përshkroi këtë normë në një postim në Facebook si “lajm të mirë”.

