Bota
Trump: Kemi goditur ishullin Kharg, lironi Hormuzin
Presidenti Donald Trump thotë se SHBA-të kanë “shkatërruar plotësisht” çdo objektiv ushtarak në ishullin Kharg të Iranit dhe paralajmëron se mund të goditet edhe infrastruktura e naftës.
“Kam zgjedhur të mos shkatërroj infrastrukturën e naftës në ishullin Kharg. Nëse Irani ose të tjerë do të ndërhyjnë në kalimin e lirë dhe të sigurt të anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit, do ta rishqyrtoj menjëherë këtë vendim”, tha Trump.
Në përgjigje, Teherani paralajmëron se infrastruktura e naftës dhe energjisë që u përket kompanive që bashkëpunojnë me SHBA-të do të “kthehet në një grumbull hiri” nëse sulmohen objektet energjitike të Iranit.
Rreth 90% e eksporteve të naftës së Iranit kalojnë përmes këtij ishulli, duke e bërë atë një linjë jetike ekonomike për Teheranin.
Ambasada e SHBA-ve në Bagdad është goditur nga një raketë, sipas zyrtarëve irakianë.
Është hera e dytë që ambasada e Shteteve të Bashkuara në Bagdad sulmohet që nga fillimi i luftës amerikano-izraelite kundër Iranit. Disa grupe të armatosura të mbështetura nga Teherani, të bashkuara nën ombrellën e lëvizjes Rezistenca Islamike në Irak, kanë marrë përgjegjësinë për sulme të përditshme me dronë dhe raketa kundër bazave amerikane në rajon. Para sulmit, dy milicë të grupit Kataeb Hezbollah ishin vrarë; njëri prej tyre thuhet se ishte një “figurë kyçe” e rrjetit të lidhur me Teheranin.
SHBA pritet të dërgojë një njësi marinsash dhe më shumë anije luftarake në Lindjen e Mesme.
Shpërthime të forta janë dëgjuar edhe në Doha. Ministria e Brendshme e Katarit deklaron se ka parandaluar një sulm raketor iranian.