Bota
Trump: Kemi shkatërruar mbi 30 anije që vendosnin mina në Hormuz
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se forcat amerikane kanë shkatërruar më shumë se 30 anije iraniane që dyshohet se përdoreshin për vendosjen e minave detare në ngushticën e Hormuzit.
Megjithatë, ai shtoi se SHBA nuk është e sigurt nëse Irani ka arritur apo jo të vendosë ndonjë minë në këtë korridor strategjik detar.
Trump u shpreh se SHBA po “godet fort” kapacitetin e Iranit për të kërcënuar transportin në këtë zonë kyçe për tregtinë globale të energjisë.
“Ne kemi goditur, sipas njohurive tona, të gjitha anijet e tyre për vendosjen e minave. Por nuk e dimë nëse ata kanë hedhur ndonjë minë në ujë. Nuk jemi të sigurt nëse është vendosur ndonjë”, tha ai.
Trump gjithashtu përsëriti thirrjen ndaj vendeve të tjera që të ndihmojnë në rihapjen dhe sigurimin e trafikut detar në këtë rrugë strategjike. Ai tha se disa shtete kanë shprehur gatishmëri për të ndihmuar, ndërsa të tjera kanë treguar më pak entuziazëm.
Sipas tij, SHBA dëshiron që vendet partnere të ndihmojnë në patrullimin në ngushticën e Hormuzit, pasi Irani iu përgjigj sulmeve të SHBA-së dhe Izrael me dronë, raketa dhe mina detare, duke bllokuar në mënyrë efektive kalimin e cisternave të naftës.
Kjo rrugë detare është një nga më të rëndësishmet në botë, pasi përmes saj transportohet rreth një e pesta e naftës dhe e gazit natyror të lëngshëm në botë.
“Disa vende janë shumë entuziaste për të ndihmuar, ndërsa disa të tjera jo aq. Disa prej tyre janë vende që i kemi ndihmuar për shumë vite dhe i kemi mbrojtur nga kërcënime të jashtme, por nuk treguan shumë gatishmëri. Dhe për mua niveli i këtij entuziazmi ka rëndësi”, deklaroi Trump.