Bota
Trump kërkon hetim penal ndaj Obamës për tradhti

Presidenti Donald Trump ka kërkuar publikisht që paraardhësi i tij, Barack Obama, të hetohet, ndiqet penalisht dhe të dënohet me burg për tradhti. Sipas Trump, Obama ka urdhëruar shërbimet sekrete të falsifikojnë dokumente për të provuar se Rusia ndërhyri në zgjedhjet e vitit 2016 në favor të Trump.
Kjo deklaratë vjen në një moment kritik për administratën Trump, e cila përballet me kritika për mospublikimin e plotë të dosjes Epstein. Brenda lëvizjes MAGA ka pakënaqësi, dhe Trump ka zgjedhur të zhvendosë vëmendjen drejt një konflikti të ri me Obamën.
Tensionet u rritën kur drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, dhe zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaruan se kanë prova për përfshirjen e administratës Obama në një komplot. Gabbard tha se të dhënat janë përcjellë në Departamentin e Drejtësisë dhe FBI, ndërsa Leavitt shtoi se Obama duhet të mbajë përgjegjësi ligjore.
Ndërkohë, Gjykata e Lartë ka vendosur se presidentët gëzojnë imunitet për veprimet gjatë detyrës një vendim i kërkuar nga vetë Trump lidhur me sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar 2021.
Skandali Epstein mbetet një temë e ndjeshme për Trump, me akuza për mostransparencë. Trump ka paditur Wall Street Journal dhe Rupert Murdoch për publikimin e një letre drejtuar Epstein-it, ka kërkuar publikimin e dokumenteve sekrete të një jurie, dhe ka urdhëruar zëvendëssekretarin e Drejtësisë, Todd Blanche, të takohet me Ghislaine Maxwell për dëshmi të reja.
Trump publikoi edhe një video të krijuar me inteligjencë artificiale që paraqet arrestimin e Obamës, dhe ka kërkuar nga Gabbard të ndërmarrë hapa ligjorë kundër tij.
Megjithatë, komuniteti i inteligjencës amerikane më parë ka theksuar se Rusia nuk manipuloi votat, por ndërhyri përmes dezinformatave. Këtë qëndrim e mbështeti edhe senatori Marco Rubio. Gabbard pohon se narrativa për ndihmë ndaj Trump ishte e fabrikuar nga Obama.
Zëdhënësi i Obamës reagoi duke i cilësuar akuzat si të pabaza dhe përpjekje të dëshpëruara për të zhvendosur vëmendjen nga problemet reale.
Nga dita e djeshme, këto akuza janë kthyer në kallëzim zyrtar për ndjekje penale ndaj Obamës, duke krijuar tensione të reja në skenën politike amerikane.

