Connect with us

Bota

Trump paralajmëron Iranin: Nëse po rindërton programin bërthamor, do ta godasim

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, paralajmëroi ashpër Iranin se SHBA do të reagojë ushtarakisht nëse Teherani po rindërton programin e tij bërthamor, duke deklaruar se “do ta godasim” nëse kjo konfirmohet.

Deklaratat u bënë para mediave, në fillim të takimit të tij me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i cili ndodhet për vizitë në Mar-a-Lago.

“Tani dëgjoj që Irani po përpiqet të rindërtohet dhe, nëse është kështu, do të na duhet ta godasim. Do ta godasim fort”, u shpreh Trump.

Ai shtoi se shpreson që një përshkallëzim i tillë të shmanget dhe se Irani, sipas informacioneve që ka, është i interesuar për një marrëveshje.

“Kam dëgjuar se Irani dëshiron të bëjë një marrëveshje. Nëse e duan një marrëveshje, kjo është shumë më e zgjuar”, tha presidenti amerikan.

Gjatë deklaratës së tij, Trump foli edhe për situatën në Gaza, duke theksuar se Hamasi duhet të çarmatoset.

“Duhet të ketë çarmatim. Hamas duhet të çarmatoset”, tha ai, ndërsa qëndronte pranë Netanyahu-t.

Kryeministri izraelit pritet të diskutojë me Trump planin për armëpushim në Gaza, si dhe programin e raketave balistike të Iranit.

Para takimit me presidentin amerikan, Netanyahu zhvilloi takime edhe me Sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth.

Advertisement