Connect with us

Bota

Trump sulmoi Iranin, Netanjahu e falenderon për aktin e guximshëm

Presidenti Donald Trump tha se ushtria amerikane goditi tre objekte bërthamore iraniane, teksa Shtetet e Bashkuara u përfshin në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit, duke rritur frikën për një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Trump njoftoi për “sukses spektakolar ushtarak” më 21 qershor, duke thënë se bombarduesit amerikanë goditën objektet bërthamore në Fordo, Natanz dhe Esfahan gjatë një përpjekjeje të përbashkët me Izraelin për të shkatërruar programin bërthamor të Iranit, pasi diplomacia dështoi ta kthente Teheranin në tavolinën e negociatave.

Të gjithë i kanë dëgjuar këto emra për vite të tëra, teksa ata ndërtuan këtë ndërmarrje jashtëzakonisht shkatërruese”, tha Trump gjatë një fjalimi drejtuar kombit nga Shtëpia e Bardhë.

“Qëllimi ynë ishte shkatërrimi i kapacitetit të Iranit për pasurim të uraniumit dhe ndalimi i kërcënimit bërthamor që paraqet sponsori numër një shtetëror i terrorizmit në botë”.

Trump, i cili vetëm dy ditë më parë tha se do të vendoste “brenda dy javësh” nëse do t’i bashkohej Izraelit në përpjekjet e tij për të shkatërruar objektet bërthamore iraniane, pretendoi se sulmet “shkatërruan plotësisht” objektet kyç të Iranit për pasurim të uraniumit.

Irani, bullizuesi i Lindjes së Mesme, tani duhet të bëjë paqe. Nëse nuk bën, sulmi i ardhshëm do të jetë shumë më i madh dhe shumë më i lehtë”, tha Trump. E ardhmja e Iranit, sipas presidentit amerikan, “ose ka paqe ose tragjedi”, duke shtuar se në Iran ka ende shumë caqe që mund të goditen.

Nëse paqja nuk vjen shpejt, ne do t’i godasim caqet e tjera me precizitet”, tha ai, duke falënderuar ushtrinë izraelite dhe atë amerikane për realizimin e operacionit.

Shpresoj të mos kemi më nevojë për shërbimet e tyre në këtë kapacitet. Shpresoj shumë”, u shpreh Trump, duke folur nga Shtëpia e Bardhë, teksa prapa tij gjendeshin nënpresidenti JD Vance, sekretari i Shtetit, Marco Rubio dhe ai i Mbrojtjes, Pete Hegseth.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, i quajti sulmet “të turpshme” dhe paralajmëroi se ato “do të kenë pasoja të përhershme”, në një postim në X.

Çdo shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara duhet të alarmohet nga ky veprim jashtëzakonisht i rrezikshëm, i paligjshëm dhe kriminal,” tha ai, duke shtuar se Irani “i rezervon vetes të gjitha opsionet për të mbrojtur sovranitetin, interesat dhe popullin e tij”.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e uroi Trumpin për sulmet “e guximshme” të SHBA-së, duke e quajtur sulmin një moment historik që mund ta çojë Lindjen e Mesme drejt paqes.

Urime president Trump. Vendimi juaj i guximshëm për të goditur objektet bërthamore të Iranit me fuqinë e jashtëzakonshme dhe të drejtë të SHBA-së do ta ndryshojë historinë”, tha Netanyahu përmes një video-adresimi.

Presidenti Trump dhe unë shpesh themi: paqja vjen përmes forcës. Së pari vjen forca, pastaj paqja”, shtoi ai.

Senatori amerikan, republikani nga Karolina e Jugut, Lindsey Graham, gjithashtu e mirëpriti sulmin.

Ky ishte vendimi i duhur. Regjimi e meriton. Të lumtë, president Trump”, shkroi Graham në X.

Por, jo të gjithë e mirëpritën sulmin.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se ishte “thellësisht i alarmuar” nga përshkallëzimi.

Ekziston një rrezik në rritje që ky konflikt të dalë shpejt jashtë kontrollit, me pasoja katastrofike për civilët, rajonin dhe botën”, tha Guterres.

Vendimi për të goditur Iranin mund të jetë politikisht i rrezikshëm për Trumpin, i cili fitoi zgjedhjet presidenciale vitin e kaluar me premtimin që të mbajë SHBA-në jashtë konflikteve të huaja. Disa anëtarë të koalicionit të tij, Ta Bëjmë Amerikën Madhështore Sërish, e kanë këshilluar Trumpin që të mos përfshijë drejtpërdrejt ushtrinë amerikan në sulme ndaj Iranit.

Autoriteti iranian për mbikëqyrjen bërthamore njoftoi se nuk kishte rrezik për banorët që jetojnë përreth zonave të goditura, ndërsa autoriteti rregullator i Arabisë Saudite tha se nuk ishin zbuluar gjurmë radioaktive në Mbretëri apo në shtetet e Gjirit Arab si pasojë e sulmeve.

Që nga 13 qershori, kur Izraeli nisi një fushatë ajrore duke deklaruar se Irani ishte afër zhvillimit të një arme bërthamore, dy vendet kanë shkëmbyer valë të njëpasnjëshme sulmesh të rënda. Irani vazhdon të mohojë se programi i tij bërthamor ka për qëllim prodhimin e një bombe atomike.

Brett McGurk, ish-anëtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA, deklaroi se përdorimi i bombës shkatërruese për bunkerë, e njohur zyrtarisht si “penetruese masive e municioneve”, është “hera e parë në historinë ushtarake”, duke theksuar se është armë e krijuar pikërisht për objektiva si Fordo.

Ai theksoi për CNN se misioni kishte për qëllim goditjen e tri objekteve bërthamore dhe jo ndryshimin e regjimit.

Mesazhi për rajonin dhe për Teheranin është se kjo ka të bëjë vetëm me objektet bërthamore. Nuk është një mision i zgjeruar. Dhe mund të përfundojë këtu,” tha McGurk.

Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, tha më herët më 21 qershor se Irani nuk do ta ndalë programin e tij bërthamor “në asnjë rrethanë”, ndërsa ministri i jashtëm Abbas Araqchi paralajmëroi se përfshirja ushtarake e SHBA-së “do të ishte shumë, shumë e rrezikshme për të gjithë”.

Araqchi, gjatë një konference anësore të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik në Turqi, u shpreh se Irani ishte i hapur për dialog të mëtejshëm, por theksoi se nuk ka interes të negociojë me SHBA-në ndërkohë që Izraeli vazhdon të sulmojë.

Në një bisedë telefonike me presidentin francez Emmanuel Macron, Pezeshkian tha se Irani është “i gatshëm të diskutojë dhe të bashkëpunojë për të ndërtuar besim në fushën e aktiviteteve bërthamore paqësore”.

Megjithatë, nuk biem dakord të reduktojmë aktivitetet bërthamore në zero në asnjë rrethanë”, shtoi ai, sipas agjencisë shtetërore iraniane IRNA.

Advertisement