Bota
Trump takohet me Starmer, Presidenti amerikan flet për luftën në Ukrainë: Kemi qenë afër armëpushimit me Putinin plot 5 herë

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se ka qenë shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje për armëpushim me Vladimir Putinin, në lidhje me luftën në Ukrainë – jo një, por pesë herë.Këto deklarata u bënë gjatë një konference për shtyp në Skoci, ku Trump ishte në një takim të përbashkët me kryeministrin britanik Keir Starmer. Takimi në tokën skoceze shënon një nga komunikimet më të drejtpërdrejta midis dy liderëve për çështje ndërkombëtare.“Kam folur shumë me Presidentin Putin, jam marrë vesh shumë mirë me të,” tha Trump, duke shtuar megjithatë se është thellësisht i zhgënjyer nga veprimet e fundit të liderit rus.“Pastaj ai del dhe fillon të lëshojë raketa në ndonjë qytet si Kievi, dhe vret shumë njerëz në ndonjë azil pleqsh apo çfarëdo tjetër, trupa të pajetë gjithandej në rrugë,” u shpreh ai.Trump deklaroi se i kishte lënë Putinit 50 ditë kohë për të arritur një marrëveshje për ndalimin e luftës, por tani po e rimendon këtë afat: “Do ta shkurtoj këtë afat prej 50 ditësh në një numër më të vogël, sepse mendoj se tashmë e di përgjigjen se çfarë do të ndodhë,” theksoi ai.Takimi me Starmer u përqendrua në çështje globale si siguria, kriza energjetike dhe Ukraina, me Trump që përdori rastin për të ritheksuar rolin që ai pretendon se ka luajtur në prapaskenë për të ndalur luftën, ndërsa theksoi se diplomacia ka nevojë për vendosmëri dhe veprim të shpejtë.Deklaratat e Trump vijnë në një moment kur lufta në Ukrainë vazhdon pa zgjidhje të qartë, ndërsa përpjekjet ndërkombëtare për paqe mbeten të brishta.

