Bota
Trump takon udhëheqësin e ri të Sirisë pas premtimit për heqjen e sanksioneve

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, është takuar të mërkurën me presidentin e ri të përkohshëm të Sirisë, Ahmad al-Sharaa, një ish-udhëheqës i kryengritësve, që kaloi vite i burgosur nga forcat amerikane pasi u kap në Irak.
Takimi ndodhi para se Trump të përfundojë qëndrimin e tij në Arabinë Saudite dhe të udhëtojë për në Katar, në kuadër të një turneu në Lindjen e Mesme, që do të përfshijë, gjithashtu, një ndalesë në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Trump dhe al-Sharaa u takuan në praninë e princit saudit të Kurorës, Mohammed bin Salman.
Al-Sharaa u shpall president i Sirisë në janar, një muaj pas një ofensive të befasishme të grupeve kryengritëse të udhëhequra nga Hayat Tahrir al-Sham (HTS), të cilën ai e drejtonte. Kjo organizatë është e shpallur terroriste nga SHBA-ja. Ato forca pushtuan Damaskun dhe i dhanë fund sundimit 54-vjeçar të familjes Assad.
Trump tha, para takimit, se vendimin për ta takuar al-Sharaan e mori pas inkurajimit nga princi saudit, Mohammed bin Salman, dhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan. Ai premtoi, gjithashtu, se do të heqë sanksionet shumëvjeçare ndaj Sirisë.
“Në Siri ka një qeveri të re që, shpresojmë, do të arrijë të stabilizojë vendin dhe të ruajë paqen”, tha Trump në një fjalim të gjerë për politikën e jashtme të mbajtur të martën, ku njoftoi heqjen e sanksioneve që kanë qenë në fuqi që nga viti 2011.
“Kjo është ajo që duam të shohim në Siri”.

