Connect with us

Aktualitet

Turizmi, net-qëndrimet e të huajve në hotele u rritën me 32%, kryesuan italianët dhe Kosova

Pavarësisht lëkundjes së lehtë që shënoi lëvizja e shtetasve në muajin e tretë të vitit, të dhënat e hoteleve për marsin tregojnë për një rritje të frekuentimit nga ana e të huajve. Instituti i Statistikave publikoi të dhënat mbi strukturat akomoduese çka tregon se ka një rritje të ndjeshme të të vizitorëve dhe net-qëndrimeve krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë.

Totali i vizitorëve u rrit me 21,9%, ku jorezidentët shënuan një rritje prej 27,3% dhe rezidentët me  13.9%. Totali i netëve është rritur me 30,8%, ku jorezidentët janë rritur me 32,1% dhe rezidentët me 28,4%. Rritja më e madhe e vizitorëve jorezidentë është shënuar në zonat jashtë bregdetit (+20,6%) dhe në hotele dhe akomodime të ngjashme (+27,6%),”- vlerëson INSTAT.

Po kështu lidhur me vizitorët e huaj sipas vendit nga kanë ardhur të dhënat për mars 2025,tregojnë se  pjesa më e madhe e vizitorëve jorezidentë që erdhën dhe qëndruan në struktura akomoduese në Shqipëri nga Italia (23%), Kosova (15 %) dhe Gjermania (10%). Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kontribuan me 7% dhe përkatësisht 3% e vizitorëve, ndërsa 42% e tyre ishin nga vende të tjera.

Këto të dhëna pasqyrojnë tendencën e rritjes turizmin përbrenda nga tregjet kryesore të rajonit dhe Europës. Shkalla e zënies së dhomave të hoteleve arriti në 18,4%, krahasuar me 17,3% në mars 2024. Pjesa e parë e vitit tregon për një ecuri të mirë të turizmit edhe pse më të zbehtë sesa pritshmëria që operatorët kishin më herët kjo edhe për shkak të motit që këtë vit nuk ka qenë shumë i favorshëm.

Gjithsesi në total viti 2025 pritet që të shënojë një tjetër rekord hyrjesh nga të huajt në raport me 20024 që u mbyll me një shifër 11.7 milionë vizitorë./Monitor

Advertisement