Connect with us

Aktualitet

U arrestua për fshehje të pasurisë, ish-zyrtares së lartë i sekuestrohen…

Ish-zyrtares së lartë, Alda Klosit, iu është sekuestruar një apartament dhe një garazh në rrugën “Kongresi i Lushnjës”. Mbi ish-zyrtaren e shtetit, rëndojnë disa vepra penale: “Refuzim për deklarim, mos deklarim, fshehjen ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nënpunësve publik, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”; “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimatrisë kiminale”; dhe “Deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.

‘Specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Asetet Kriminale në DVP Tiranë, në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, sekuestruan pasuri të palujatshme në pronësi të shtetasit A. K., konkretisht një apartament dhe një garazh në rrugën “Kongresi i Lushnjës”.‘- njofton policia.

Ish-zyrtarja e cila u arrestua pak ditë më parë, është dërguar në burgun e grave “325”. Ajo u nxorr nga spitali QSUT, ku po kurohej për luhatjet e tensionit, e është vendosur në qelinë e saj të paraburgimit ku edhe do të presë deri në dhënien e vendimit për të nga Gjykata.

Alda Klosi është transferuar në burgun e grave 325 te “Ali Demi”, institucion ku qëndron dhe pastruesja që ishte punësuar në banesën e saj, Rozeta Dobi. 42-vjeçarja është vendosur ne dhomën e observimit të paraburgimit ku do qëndrojë 5 deri në 10 ditë, e më pas do të kalojë në dhomën e saj.

Çështja e Rozeta Dobit dhe Alda Klosit ka marrë një vëmendje të shtuar nga drejtësia shqiptare për shkak të shumës rekord që pastruesja ia doli të vidhte në banesën e zyrtares, një vlerë që e kalon atë të 500 mijë eurove, burimi i të cilave nuk dihet. Këto para edhe pse kanë kaluar 2 javë që prej zbulimit të vjedhjes, nuk dihet se ku i ka gjetur Alda Klosi. Ajo po hetohet gjithashtu nga prokuroria.

Vjedhja e shtëpisë së Klosit ndodhi më 15 dhjetor dhe u pikas nga vajza e ish-zyrtares, pasi Rozeta Dobi dhe djali i saj Havieri kishin hapur derën me forcë dhe e kishin inskenuar si grabitje. Por, kamerat e sigurisë zbuluan gjithçka. Tashmë nënë e bir janë në pranga. Ata kanë pranuar autorësinë e ngjarjes, por misteri lidhet me pronarin e parave. Kjo pasi në ditën e arrestimit, policia gjeti në banesën e Rozetës dhe Havierit një sasi prej gati 120 milionë lekë të vjetra, para dhe stoli floriri.

Kjo shumë sipas Alda Klosit bashkë me florinjtë i përket asaj. Por të nesërmen pas arrestimit, falë një përgjimi ambiental policia gjeti të fshehura në tubin e aspirimit të shtëpisë së pastrueses edhe 400 mijë euro të tjera. Këto para janë pa pronar sot, pasi Alda Klosi mohon që të jenë vjedhur në banesën e saj. Pastruesja nga ana tjetër pohon se edhe këto para i ka marrë te Klosi. Për këtë shumë nuk ka asnjë denoncues në Polici. Klosi kishte pretenduar para hetuesve se paratë ishin të xhaxhait dhe i kishte ruajtur për kurimin e tij, por ai ndërroi jetë disa javë më parë në SHBA, ku edhe po kurohej. Megjithatë duket se as i ndjeri nuk i justifikonte dot paratë, pasi e mbesa është vendosur në pranga.

Advertisement