Connect with us

Politike

Arrestimi i sekretares, Rama i ashpër: E tmerrshme, çfarë niveli

Rama: Para pak orësh dëgjova për një situatë që realisht të vë në siklet të jashtëzakonshëm. Një Sekretare e Përgjithshme që kapet në flagrancë duke marrë lekë. Si mund të ndodhë kjo? Natyrisht që ana e, si të thuash, ana e pëlqyeshme e kësaj medalje është që kapet një person i cili është i padenjë për të qëndruar në një zyrë shteti dhe unë uroj që të ketë sa më shumë të tilla por ama nuk mund të uroj që sa më shumë të tillë njerëz të bëjnë gjëra të tilla sepse është realisht diçka e rëndë. Mungesa e sensit të patriotizmit, mungesa e sensit të detyrës, mungesa e sensit të etikës në pikën që në një detyrë të rëndësishme të biesh në këtë lloj niveli është realisht e tmerrshme.

Natyrisht që këtu ne e kemi hapur vetë këtë kuti të Pandorës, e kemi hapur vetë pikërisht sepse nuk kemi pranuar që të marrim përsipër përgjegjësinë e qeverisjes së këtij vendi duke mbajtur këmbën tek kapaku i asaj kutie për të vazhduar avazin e nuk e di sa shekujve ku të pushtetshmit, të fuqishmit apo të mbështeturit e të mbrojturit e këtij vendi kurrë, asnjëherë nuk janë thirrur nga drejtësia. Këtë e kemi bërë ne.

Unë 100 herë të kthehesha mbrapa, 100 herë do bëja të njëjtën gjë sepse në fund të fundit kjo është arsyeja pse njeriu merr përsipër të bëjë këtë punë që unë bëj  apo që shumë këtu bëjnë sepse një pjesë janë vullnetarë, në kuptimin janë të angazhuar me Partinë Socialiste por nuk kanë detyra të këtyre niveleve dhe nuk janë në nivelet vendimmarrëse ku ndahet se çfarë rruge duhet të marrin, duhet të vazhdojnë në një rrugë symbyllur dhe të konsumojmë pushtetin duke bërë sikur nuk kuptojmë ose duke bërë barrikadë që kush është i joni mund të bëjë ç’të dojë me ligjin dhe me pasurinë e përbashkët dhe nuk preket apo duhet të ndjekim një rrugë tjetër? Ne e kemi zgjedhur këtë rrugë tjetër dhe në këtë rrugë nuk ka asnjë kthim mbrapa dhe nuk ka asnjë kompromis me askënd.

Natyrisht që unë personalisht e kam ditur, siç besoj e kanë ditur dhe ata që janë angazhuar qysh në fillim që kjo nuk është rrugë që do mbarojë shpejt, kjo nuk është rruga e një mandati, e dy mandateve, e tre mandateve, kjo është rruga e një gjenerate për të arritur që ky vend të ketë drejtësi  të barabartë për të gjithë.

Sigurisht që kjo është një rrugë me shumë vështirësi, me shumë situata të shëmtuara, të hidhura po të doni, njerëz që kanë marrë gjithçka.  Nuk ka më shumë sesa të çohen për ty një ditë të dielë mijëra njerëz dhe të shkojnë të shënojnë emrin tënd atje, nuk ka më shumë, nuk ke çfarë kërkon më shumë. Asgjë nuk krahasohet me këtë.

Në jetën e një njeriu, sipas meje, nuk ka miliarda, nuk ka pasuri, nuk ka shtëpia e varka që krahasohen me këtë, që një të dielë mijëra njerëz, për një person, çohen dhe vënë kryqin aty dhe thonë “Parapëlqej filanin” ose qindra mijëra çohen dhe votojnë për partinë që ty të ka zgjedhur të përfaqësosh.

Prandaj, kush e bën këtë e ka vendin në ferr, nuk ka vend në asnjë zonë tjetër të jetës, por e ka vendin në ferr, nuk diskutohet.

Advertisement