Aktualitet
Ekstradim nga SHBA, ja kush është 40-vjeçari shqiptar
Lulzim Sinaj, është 40-vjeçari i ekstraduar ditën e sotme nga SHBA në vendin tonë.
Sinaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Fierit në vitin 2021 e kishte dënuar me 25 vite burg për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
Kush është Lulëzim Sinaj
Më 13 mars 2017, Lulzim Sinaj pas divorcit me gruan e tij, plagosi me armë zjarri prindërit e ish-bashkëshortes, Edmond dhe Ludmilla Xhaferaj.
Gruaja mori 2 plumba, ndërsa burri 3 plumba në trup.
Sinaj kishte jetuar me bashkëshorten e tij prej disa kohësh (5 vite) në Amerikë.
Por në vitin 2016 çifti ishte kthyer në Shqipëri.
Pas kthimit, mes tyre nisën edhe konfliktet e mosmarrëveshjet që çuan në divorc.
Sipas burimeve të Policisë, asokohe dhëndri kishte akuzuar prindërit e ish-bashkëshortes si shkaktarët që kishin bindur të bijën për t’i dhënë fund martesës.
Natën e plagosjes, ai dyshohet se ishte në gjendje të dehur kur trokiti në derën e ish-vjehrrit të tij.
Mes tyre pati fillimisht një debat dhe më pas Sinaj nxori armën duke qëlluar fillimisht ish-vjehrrin e më pas edhe bashkëshorten e këtij të fundit.
Plumbave i shpëtoi ish-bashkëshortja, e cila dha alarmin duke kërkuar ndihmën e fqinjëve.
Sinaj u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes.