Kronike
U hoq si zyrtar dhe i mori 30 mln lekë një biznesmeni, arrestohet 57-vjeçari
Biznesmenët vazhdojnë të mashtrohen, duke dhuruar para personave që hiqen si zyrtarë të lartë në vendin tonë. Rasti i fundit është regjistruar sërish në Lezhë.
Autoritetet policore raportojnë se kanë vënë në pranga një person, i cili përmes mashtrimit duke u hequr si një zyrtar i lartë i një institucioni vendor i ka marrë 30 milion lekë të vjetra administratorit të një subjekti privat.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Flop” është vënë në pranga shtetasi R. M., 57 vjeç, banues në Tiranë. Ata kanë biseduar në aplikacionin “Signal”, ku biznesmeni mendonte se po fliste me zyrtarin e lartë.
“Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi R. M., në bashkëpunim me një shtetas tjetër të paidentifikuar, kanë përfituar 3 000 000 lekë nga administratori i një subjekti privat, pasi kanë komunikuar me të në aplikacionin “Signal”, në emër të përfaqësuesit të një institucioni vendor.” – thuhet në njoftimin e Policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Lezhës për veprën penale “Mashtrimi” me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim.