Politike
U mbylle vetë brenda, pse nuk veprove si Kryemadhi/ Gazetari pyet Berishën për moszbatimin e vendimit të gjykatës
Sali Berisha ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ku është pyetur nga Ylli Rakipi, se përse nuk e zbatoi vendimin e gjykatës për masën e sigurisë “detyrim paraqitje” të kërkuar nga SPAK, njëlloj siç bëri Monika Kryemadhi, e cila është e lirë pavarësisht hetimeve nga SPAK dhe Berisha nuk do të përfundonte në arrest shtëpie.
Ish kryeministri tha se nuk mund të zbatonte një vendim në shkelje të Kushtetutës.
Ylli Rakipi: Ju do të ishit sot i lirë si Monika Kryemadhi, me masë detyrim paraqitje. Ju e keni rënduar vetë pozitat. Sikur të isha në vendin tuaj, do të zgjidhja të paraqitesha. Ata të gjetën edhe rastin për të të futur atje brenda. Nuk është se ju tha Altin Dumani, që e quani armik tani, mos zbato vendimin e gjykatës.
Sali Berisha: Një arsyetim ekstra-Kushtetues ky. Pse? Refuzova vendimin e gjykatës sepse Kushtetuta kërkon qe vendimet të jenë të ligjshme. Çdo urdhër sanksionon se nuk duhet zbatuar urdhëri i paligjshëm. Së dyti, ajo që u vendos ishte grusht shteti brenda shtetit, marrje e pushtetit të Parlamentit, nga gjykatësit për t’ja dhënë Edi Ramës.
Unë isha personi që kisha dërguar në vitin 2012 amendamentin për abrogimin e nenit 73 të Kushtetutës, që detyronte organet e drejtësisë të merrnin autorizim nga Parlamentin, para se të vendosnin kufizime të lirive të deputetit, të çfarëdolloj lirie.
Këtë e kundërshtoi në mënyrë kategorike Edi Rama. E kundërshtuan edhe Këshilli i Evropës, ndaj edhe unë e kisha të qartë që ata gjykatës shkruajtën Kushtetutën me vendimin e tyre, nuk mund të bëhesha pjesë e një puçi, të njerëzve që nuk kanë ligj dhe moral.
GJK përsëri në vendimin e vet, dëshmon se vendimi ishte anti-Kushtetues, sepse sipas tyre shkeli parimin e përpjestimit, parim i sanksionuar në nënin 17 të Kushtetutës. Pse e nxorra këtu? Sepse vendimi i gjykatës ishte anti-Kushtetues. Ka edhe një nen tjetër, 15, që thuhet se të drejtat, liritë, janë të pandashme. Nëqoftëse një apo tre apo pesë individë, vendosin të marrë peng apo skllavëruar, vendosin të shkruajnë Kushtetutën apo ta dhunojnë atë, nuk e bëj kurrë atë.
Ylli Rakipi: Atëherë mos thoni që SPAK ju ka izoluar, ju keni vajtur vetë atje. Ata kanë marrë një masë të dytë, sepse nuk keni pranuar të parën. Monika Kryemadhi shkoi.
Sali Berisha: Edhe në ligj edhe në gërmë edhe në frymë edhe në precedent, në rastin e Tahirit, ajo nuk mund të ndodhte pa miratimin e Parlamentit. Me mua nuk e krijonin kurrë një grusht banditësh një precedent anti-Kushtetues. Nuk mund ta bënin kurrë. Nuk isha unë ai që mund të shkelja Kushtetutën.