Aktualitet
U plagos nga plumbat e atentatit në Shkodër, familjarët e kamerieres 25-vjeçare apel për ndihmë për kurimin e saj

Familjarët e Meri Kacerrit, 25-vjeçares që mbeti e plagosur në masakrën e Shkodrës teksa punonte në lokalin ku ndodhi atentati, kanë kërkuar ndihmë.
Ata kanë bërë një njoftim për të bërë donacione monetare në “gofundme”, me qëllim kurimin e mëtejshëm të saj.
“Situata është shumë delikate dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme mjekësore, operacione dhe trajtime që shoqërohen me shpenzime të konsiderueshme, ndaj, me vështirësi të madhe, por me dorën në zemër, ju drejtohemi juve, miqve, të njohurve dhe çdo zemre të mirë që mund të japë një dorë.
Çdo kontribut, sado i vogël, është një hap drejt shpresës, shërimit dhe rikthimit të Merit në jetën e saj të zakonshme.
Mirënjohja jonë është e pafund për çdo mbështetje, qoftë ajo financiare, shpirtërore apo edhe thjesht duke ndarë këtë fushatë me të tjerët.
Le ta ndihmojmë të gjithë bashkë Merin që të ngrihet përsëri në këmbë”, shkruhet në këtë njoftim.
25 vjeçarja ndodhej duke punuar si kameriere në lokalin në qendër të Shkodrës kur u lëshuan plumbat drejt tavolinës së Erogen Vaso (Brajoviç), që ishte dhe shënjestra. Nga atentati mbetën të vrarë dy miqtë e tij, ndërsa vetë ai dhe kamerierja u plagosën.
Top Channel mëson se e reja është në gjendje stabël dhe jashtë rrezikut për jetën, ndërsa është e nevojshme një ndërhyrje në krahë, aty ku ka marrë plagë, për shkak se ka fraktura.
E reja po trajtohet në spitalin e Traumës në Tiranë.

