Connect with us

Kosova

Ulërimat e ujkut Vuçiç/ Alon Ben Meir shpjegon domethënien

Profesori dhe eksperti amerikan i shkencave politike, Alon Ben Meir ka analizuar dialogun Prishtinë-Beograd dhe lëvizjet politike e ushtarake në të dyja anët. Ai tha se Serbia nuk do ta sulmojë asnjëherë Kosovën pasi nuk dëshiron një përplasje ushtarake me NATO-n e fuqishme. Sipas tij, presidenti serb Aleksandër Vuçiç po e bën të gjithë këtë retorikë me kërcënime të kota, vetëm për të kënaqur Putinin.

“Vuçiç mund të flasë shumë me zë të lartë. Mund edhe të kërcënojë. Ai dërgoi disa trupa përgjatë kufirit me Kosovën, por kjo nuk përkthehet domosdoshmërish në një plan veprimi ushtarak. Nëse kjo do të shkonte drejt një pushtimi të Kosovës, do të ishte një gabim i tmerrshëm nga ana e tij, dhe ai e di këtë. Pra, ai po flet me zë të lartë për të qetësuar Putinin në vend që të bëjë atë që Putini do të donte që ai të bënte” – deklaroi Ben Meir
Kjo pasi sipas profesorit, presidenti Vuçiç nuk mund ta braktis Vladimir Putinin.

“Sigurisht, ka një marrëdhënie, ka lidhje fetare, ka lidhje kulturore. Ai thjesht nuk mund ta braktisë Rusinë dhe Putinin. Mendoj se për sa kohë që kreu rus është në pushtet, ne nuk mund të prisim që Vucic të sillet ndryshe” – theksoi Alon Ben Meir

Kujtojmë se në një prej deklarimeve te tij te mehershme, Eksperti i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, ka thene se incidentet në veri të Kosovës mund të përsëriten për shkak të faktit se tensionet mes palëve janë rritur si rezultat i mungesës së mirëkuptimit dhe mosbesimit.

Ai u shpreh se themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe mund të pres derisa Beogradi të ndërmarrë disa hapa reciprokë për të demonstruar mirëbesim.

Meir si zgjidhje për të dalë nga situata e krijuar në veri të Kosovës, fillimisht sheh zgjedhje të reja në veri, dhe u shpreh se palët duhet t’i japin fund narrativës së tyre të ashpër publike.

Sipas tij, palët duhet t’i kushtojnë vëmendje rekomandimeve të BE-së, jo vetëm sepse kanë nevojë për mbështetjen e Unionit Europian, por edhe sepse BE-ja është institucioni i vetëm që mund të ndihmojë në zgjidhjen e konfliktit të tyre dhe të ofrojë nxitjen e integrimit që aspirojnë Serbia dhe Kosova, duke lëvizur procesin e pajtimit përpara.
“Presidenti Vuçiç duhet të kuptojë se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, sado që mund të zvarritet, është vetëm çështje kohe se ai ose pasardhësi i tij do të arrijnë në këtë përfundim” – theksoi Alon Ben Meir

Advertisement