LAJMI I FUNDIT
Ura e Abazoviç, akuza Vuçiçit për nxitje tensionesh në Mal të Zi
“Deklaratat e papërshtatshme të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në përgjigje të regjistrimit të popullsisë në Mal të Zi, nuk janë shembull i mirë i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, sepse ato inkurajojnë qartë tensionet kombëtare që minojnë pajtimin e ndërtuar me mundim mes qytetarëve të Malit të Zi” – njoftoi Lëvizja Qytetare URA e Dritan Abazoviç. “Me deklarata si këto, rikthen në fokus temat që e kanë mbajtur vendin tonë, por edhe rajonin, të bllokuar në ndarjet kombëtare dhe fetare që nga vitet 1990, gjë që sigurisht nuk kontribuon në përparimin e vendeve tona në rrugën drejt Bashkimin Evropian, dhe për fat të keq ato deklarata mund të na çojnë përsëri në shtigjet ballkanike, të cilat jemi të sigurt që askush nga ne nuk e dëshiron. Ballkanit i kanë mjaftuar urrejtja, përçarjet, konfliktet, është koha që më në fund të zgjedhim pajtimin, respektin reciprok dhe përparimin” – thuhet në njoftim. Kujtojmë se para dy ditësh, në festën e 15-vjetorit të Partisë Progresive Serbe (SNS), presidenti ser Aleksander Vuçic tha se dikush “duhet të thotë më të keqen për Serbinë” për të hyrë në qeverinë e Malit të Zi.