Kosova
Ura nuk hapet, Kosova ndahet, Biserko zbardh mendimin e Lajçak
Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka kritikuar emisarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosove-Serbi, Miroslav Lajçak. Ajo ka komentuar deklaratën e emisarit sllovak I cili para pak ditësh është shprehur se hapja e Urës së Ibrit mund të nxitë tensione të reja dhe se kjo çështje duhet të përfshihet në tryezën e bisedimeve në Bruksel, teksa nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka deklaruar se hapja e kësaj ure nuk është kundër askujt, por në të mirë të banorëve të asaj pjese ne veri.
Sipas Biserkos, Lajçakut i mungon autoriteti për të detyruar palët të zbatojnë atë që është rënë dakord, si edhe ka theksuar se qëllimi i Beogradit është ndarja e Kosovës.
“BE-ja, konkretisht Lajçak, nuk ka qenë ndërmjetësi më i suksesshëm. Duket se atij i mungon autoriteti për të detyruar të dyja palët të zbatojnë atë që është rënë dakord. Beogradi përfiton nga tensionet dhe ruajtja e status quo-së, duke shpresuar se do të krijohet një mundësi për ndarje. Prandaj, çdo përpjekje për të normalizuar gjërat në Beograd portretizohet si ngritje e tensioneve” – ka deklaruar Biserko.
Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, ka komentuar edhe refuzimin e kryeministrit Kurti për takim me presidentin serb Aleksander Vuçic dhe vendosjen e tri kushteve të tij.
Ajo takimin e 26 qershorit e ka vlerësuar si përpjekje të shefit të diplomacisë së BE-së Josep Borrell, për të ruajtur vrullin në dialog.
“Ishte e qartë se kjo ishte një përpjekje e komisionerit në largim Borrell, për të ruajtur vrullin në dialog. Ishte e qartë se nuk kishte asnjë shans për ndonjë përparim të rëndësishëm”, ka theksuar Sonja Biserko.
“Kaja Kallas padyshim që do të jetë shumë e angazhuar në të gjitha çështjet ku Rusia ka potencial për të destabilizuar apo rritur tensionet. Nisur nga vendi nga vjen, ajo është shumë e njohur me metodat e operimit të Rusisë dhe pres që ajo të përfshihet seriozisht në Ballkan, ku Rusia po nxit tensione dhe po destabilizon rajonin”, ka deklaruar Sonja Biserko