Connect with us

Bota

Ushtria e Izraelit publikon orar të ri për ikjen e banorëve të Gazës në jug

Ushtria izraelite ka publikuar orar të ri për civilët në Gaza, të cilët i ka urdhëruar të largohen drejt jugut.

Banorët do të mund të largohen prej orës 10:00 të mëngjesit deri në orën 13:00 nëpër rrugët e përcaktuara më parë, ka thënë një zëdhënës i ushtrisë izraelite në X – platformë e njohur më parë si Twitter.

Ushtria ka thënë se nuk do t’i sulmojë ato rrugë përgjatë orarit për evakuim.

Njerëzit që kujdesen për sigurinë e familjeve të tyre duhet të nisen drejt jugut, ka thënë ushtria izraelite, duke shtuar se Hamasi, i cili e udhëheq Gazën, kujdeset për pjesëtarët e vet dhe familjet e tyre.

Ka pasur raportime se Hamasi është duke e parandaluar ikjen e civilëve drejt jugut të Gazës.

Izraeli e ka akuzuar vazhdimisht Hamasin se është duke abuzuar me popullin e vet dhe po e përdor si mbrojtje.

Sipas ushtrisë izraelite, mijëra palestinezë tashmë kanë shkuar në jug të Gazës, ndonëse thirrja u është bërë 1 milion civilëve, teksa Izraeli pritet të nisë një ofensivë tokësore për ta luftuar Hamasin.

Kombet e Bashkuara i kanë kritikuar urdhrat për evakuime dhe kanë paralajmëruar për katastrofë humanitare.

Ushtria izraelite ka bombarduar shënjestra të Hamasit në Gaza, prej sulmeve të pashembullta të grupit militant ndaj civileve izraelitë në fundjavën e kaluar.

Advertisement