Politike
Vangjeli: Çështja Balluku, Rama në rolin e gabuar politik, BE pritet të rritë presionin ndaj tij
Analisti Lorenc Vangjeli ka komentuar zhvillimet rreth çështjes ‘Balluku’ dhe reagimet politike që kanë pasuar. Sipas tij, në hapësirën e BE-së ekziston një ‘kod moral i pashkruar’, sipas të cilit dorëheqja konsiderohet një akt moral kur një politikan përballet me dyshime.
Analisti u shpreh se situata e krijuar rreth çështjes Balluku mund të kishte marrë një drejtim tjetër nëse qasja e institucioneve dhe e politikës do të kishte qenë më normale. Sipas tij, zhvillimet në vijim mund të shkojnë në dy drejtime kryesore. E para lidhet me përshkallëzimin e hetimeve nga SPAK, pasi, sipas Vangjelit, dosja është komplekse dhe mund të përfshijë edhe emra të tjerë.
Ndërsa drejtimi i dytë, sipas analistit, është reagimi i partnerëve evropianë, të cilët mund të rrisin presionin ndaj qeverisë shqiptare në lidhje me këtë çështje. Vangjeli theksoi gjithashtu se në këtë situatë SPAK është duke vepruar në rolin e tij institucional, ndërsa, sipas tij, kryeministri Edi Rama ndodhet në një rol të gabuar politik.
‘Cila është përplasja, krisja që ndodhi? Në kodin moral, të pashkruar, s’është e shkruar as në kushtetutë, nuk është e shkruar as në kod penal, as në kodin e procedurës.
Kodi moral i pashkruar, ai që funksionon në hapësirën e Bashkimit Evropian, është dorëheqja si një akt moral. Sepse prezumimi i pafajësisë, ka dy shkallë veprimi, mbi këtë, mbi këtë koncept. Ndryshe është për një njeri të thjeshtë, për një njeri të zakonshëm, që është i shenjtë. Ndërkohë që për një politikan, edhe vetëm dyshimi ndonjëherë është gati-gati i barabartë me fajësinë.
Pra ishte largimi që nuk do të sillte asgjë të rrëmujë e rrëmujë idiote, këtë situatë krejtësisht absurde që është zhvilluar në këto tre muaj. Por do të kishte pasur dhe një shtrat tjetër. Balluku do të kishte pasur, tani dalim në emër të përvetshëm, një fat krejt tjetër, nëse gjithë qasja e saj dhe e Ramës dhe e kësaj çështje do të ishte normale.
Ka dy gjëra të cilat do ndodhin. Në këtë lloj shahu, shah, shah është fjalë e madhe, në këtë lloj dame, se deri këtu arrijnë këta, që po luhet në Tiranë, është dy janë lëvizjet që parashikohen.
Një, përshkallëzim i veprimeve të SPAK-ut, edhe në këtë dosje, që është një dosje me shumë e shumë fraksione. Do të ketë emra të tjerë të cilët do dalin. Pra dolëm te SPAK-u. Të cilët do dalin, po prandaj thashë që janë dy. Dhe që është hapi i parë.
Dhe e dyta reagimi i partnerëve evropianë. Kjo e sotmja që është, ishte e paralajmëruar, që dyshohej, ndodhi.
Nesër ndoshta mund të ketë edhe hapa të tjerë, edhe më domethënës, edhe më të shënjuar, në mënyrë të drejtpërdrejtë. Pra, presioni do të rritet. SPAK-u në këtë rast është në rolin e tij, pavarësisht se, kryeministri është në rolin e gabuar të tij. Kryeministri është në rolin e gabuar’, u shpreh ndër të tjera analisti Lorenc Vangjeli