Connect with us

Politike

“Vdes” komisioni Gjiknuri-Alibeaj/ Socialisti lajmëron se reforma zgjedhore do të bëhet me grupin e Berishës

Socialistët i dhanë fund dilemës se me cilën opozitë do të ndryshojnë ligjin zgjedhor. Më 21 mars komisioni Gjiknuri-Alibeaj  është i destinuar të vdesë dhe për të nuk do ketë më oksigjen shtesë.

U bë mbi dy vite që ky komision funksionon, nuk është në kushtet për te nxjerrë një produkt, zgjatja do ishte me vend kur palët të kishin gjetur apo ishin drejt progresit dhe donin dhe pak kohë gjë që do ishte normale, por me ç’duket nuk do këtë një produkt”, tha Gjiknuri, bashkëkryetar i Reformës Zgjedhore.

Partia Socialiste në dakortësi me grupin më të madh të demokratëve që kontrollohen nga Sali Berisha kanë plan të zhvendosin “Zgjedhoren” në një strukturë te re që do ngrihet për ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar.

 “Çdo dialog është i mirëpritur shpresojmë nëse ka grupe pune për të dialoguar ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar edhe ligji zgjedhor mund të diskutohet në formë gjithëpërfshirëse. Ne synojmë  konsensus nëse e gjejmë do realizojmë një ndryshim në kod”, tha Gjiknuri.

Ky organ i ri  do prekë kodin elektoral, por Damian Gjiknuri mohon që ai do të fusë duart në reformën në drejtësi.

“Nuk besoj se do ketë iniciativë të njëanshme nga forcat të caktuara politike, apo politika shqiptare të mblidhet dhe pa interesin e aktorëve ndërkombëtarë të përfshirë në këtë  reformë të bëjë ndryshime të njëanshme  kështu që besoj se këto janë më shumë  të karakterit spekulativ”, tha ai.

Realiteti i ri që prodhon kompromisi me Rithemelimin nxjerr jashtë loje Lulzim Bashën që kërkonte një sistem të ri zgjedhor. Socialistët janë të qartë për rrugën tyre drejt parlamentareve 2025.

“Unë mendoj se sistemi aktual është një sistem shumë i mirë. A ka nevoje të kalibrohet më mirë, hajde por të ketë diskutim të ftohtë, por jo që unë kam zgjedhjet para si do të mbijetoj politikisht të gjej një skemë për të rreshtuar forcën time taktikisht për të mbijetuar politikisht”, tha Gjiknuri.

Struktura e re që do ngrihet për reformat  që kërkojnë 84 vota parashikon të ketë  përfaqësi të barabartë anëtarësh. Një karrige është rezervuar për Oerd Bylykbashin nga Rithemelimi, por a do ulet në një prej tyre edhe Damian Gjiknuri?

“Pyetja në kohën dhe vendin e duhur”, tha Gjiknuri.

Advertisement