Connect with us

Kronike

Vëllai i Ilarias jep mesazhin prekës: Ishte një vajzë e artë, fjalët janë të pakta

Në një nga ditët më të dhimbshme për familjen Sula dhe komunitetin shqiptar e italian në Terni, Leoni, vëllai i Ilarisë dha një mesazh prekës, duke përforcuar figurën e motrës së tij si një simbol i thjeshtësisë, ëmbëlsisë dhe pafajësisë: “Ishte një vajzë e artë. Fjalët janë të pakta. Të gjithë ata që janë këtu sot, janë zëri i saj”.

Në ceremoninë mortore mori pjesë edhe kryetari i bashkisë së Ternit, Stefano Bandecchi, i cili shprehu një mesazh të qartë për drejtësinë italiane: “Kjo vajzë gjeti një djall në rrugën e saj, një burrë të padenjë për t’u quajtur burrë. Ne si shoqëri duhet të kërkojmë drejtësi, pa mëdyshje.”

Edhe babai i Ilaria Sulës, vajzës 22-vjeçare të vrarë nga ish-i dashuri i saj, ka dhënë një mesazh të fortë dhe emocional përpara mediave:

“Duhet të kalbet në burg… për atë që ka bërë… thjesht duhet të qëndrojë përgjithmonë në burg”, deklaroi Flamur Sula, me zërin që i dridhej nga dhimbja, por me qëndresë dhe dinjitet.

Deklarata e tij erdhi në një ditë zie të përbashkët, ndërsa mbi 3000 persona morën pjesë në ceremoninë mortore të Ilarisë, duke ndarë dhimbjen dhe solidaritetin me familjen. Turma kërkoi drejtësi dhe një dënim shembullor për autorin e krimit, Mark Samsonin, i cili ndodhet në paraburgim në pritje të procesit gjyqësor.

“Vajza ime nuk e meritonte këtë fund. Ishte një vajzë e artë, nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë. Le të flasin njerëzit që kanë ardhur këtu për të,” shtoi Flamuri, ndërsa arkivoli i vajzës së tij përcillej mes balonave të kuq e të bardhë që fluturonin në qiell.

Advertisement