Kosova
Vetëvrasje nga kokëfortësia, Kosova humbet miliona euro/ Shifra të frikshme nga instituti GAP

Instituti për Studime të Avancuara – GAP, ka bërë të ditur se masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian i kanë kushtuar Kosovës rreth 615 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyera në afat të pacaktuar, ndërsa 7.1 milionë euro janë humbur pasi janë tejkaluar afatet e lejuara.
Lajmi është bërë i ditur në prezantimin e raportit të titulluar “Ndikimi financiar i masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës”.
Sipas të dhënave të prezantuara, masat e BE-së kanë shkaktuar pasoja të theksuara financiare dhe zhvillimore, duke i kushtuar Kosovës rreth 613.4 milionë euro përmes projekteve të pezulluara ose të shtyra për një afat të pacaktuar.
Sipas raportit, sektorët më të prekur janë: Mjedisi, energjia, digjitalizimi dhe kultura.
Gjithashtu, nga totali i mjeteve të ndikuara nga masat, rreth 218 milionë euro i takojnë projekteve në kuadër të IPA.
Realizimi i këtyre projekteve ishte paraparë të financohej përmes granteve dhe kredive, me një kontribut prej rreth 421 milionë euro nga Bashkimi Evropian, afërsisht 162 milionë euro nga palë të treta, si institucionet financiare ndërkombëtare, dhe 31 milionë euro si vetëfinancim.
Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se Kosova rrezikon te humbasë edhe 900 milionë euro nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian, për shkak të mosformimit të institucioneve të reja. Në anën tjetër, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se, edhe pa këto fonde, buxheti i vendit nuk rrezikohet.
Në aspektin ekonomik, humbja e miliona eurove do të ndikojë në projekte të mëdha infrastrukturore, do të dëmtojë investimet e huaja dhe do të ketë pasoja për bilancin buxhetor dhe borxhin publik.

