Kosova
Viza për të gjithë/ Bilçik për pasaportat ilegale të serbëve të Kosovës
Raportuesi për Serbinë në Parlamentit Evropian, Vladimir Bilçik, ka thënë se vendimi i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave vlen për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, përfshirë serbët që posedojnë pasaporta të lëshuara nga Serbia.
Në një prononcim për portalin serb “Kosovo-Online” , teksa ka komentuar thirrjen e Qeverisë së Kosovës drejtuar Bashkimit Europian për rishikimin e propozimit të Komisionit Evropian për heqjen e vizave edhe për mbajtësit e pasaportave ilegale serbe në Kosovë, ka konsideruar se është e natyrshme që liberalizimi i vizave të mos kushtëzohet me dokumenta shtesë.
Propozimi i Komisionit Evropian për përfshirjen e pasaportave të Zyrës Koordinuese të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në liberalizimin e vizave për Kosovën, ka krijuar një situatë shumë të paqartë dhe pakënaqësi në Kosovë, posaçërisht në kohën kur është rritur interesimi i serbëve të Kosovës për të marrë pasaporta kosovare.
Në pasaportat e lëshuara nga Zyra Koordinuese e Serbisë, vendbanimet e Kosovës figurojnë si vendbanime të Serbisë dhe rrjedhimisht, njohja e këtyre pasaportave nga Bashkimi Europian do të legjitimonte pretendimet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës. Prandaj, nuk është e qartë se çfarë kanë menduar sponzorizuesit e këtij legjislacioni që pritet të hyjë në fuqi.