Connect with us

Aktualitet

Vjedhin kasafortat e thertores në Lushnjë, por gjatë arratisjes përfundojnë në kanal

Një vjedhje e përmasave të mëdha ka përfunduar në një histori qesharake në Lushnjë, pasi një biznes thertore ra pre e vjedhjes, por ishin hajdutët, ata të cilët të fundit ranë në një kanal! Kjo është ngjarja e çuditshme e raportuar nga Policia e Shtetit.

Gjatë natës në një biznes thertore kanë hyrë dhe kanë vjedhur kasafortën si dhe kanë marrë një nga fugonët e kompanisë për ta transportuar dhe larguar nga vendngjarja. Gjatë largimit në nxitim “mysafirët e padëshiruar” kanë gabuar dhe kanë dalë nga rruga me makinën që po kryenin vjedhjen dhe kanë rënë në kanalin kullues. Policia në vendngjarje ka kryer ekspertizën dhe ka dokumentuar provat që mund të çojnë në gjetjen dhe kapjen e autorëve.

Gjithashtu në zonë po merren edhe pamjet filmike nga kamerat e sigurisë së bizneseve për të gjetur dhe për të zbardhur dinamikën e ngjarjes si dhe për të zbuluar se me çfarë mjeti shkuan autorët për të kryer vjedhjen. Pasi fugoni me të cilin po largoheshin ka rënë në kanal në dalje të fshatit Golem i vogël drejt autostradës, autorët janë larguar me një tjetër mjet dhe sipas burimeve nga policia kanë dalë në autostradën Lushnjë-Rrogozhinë.

Advertisement