Kronike
Vlorë/ Po trafikonin 3,5 kg kokainë dhe heroinë me vlerë mbi 800 mijë euro, ‘Vortex’ arreston 2 fierakët
Një grup i trafikut të lëndëve narkotike të forta u godit ditën e sotme (30 janar) në Vlorë, teksa kishin shtrirje aktiviteti edhe në qytete të tjera, si Fieri, nga ishin edhe dy të arrestuarit.
Në pranga kanë rënë të dyshuarit Viktor Jaupaj, 53 vjeç dhe Kujtim Metaj, 37 vjeç, të dy banues në Fier. U sekuestruan në total mbi 3,5 kg drogë e ndarë në 3,4 kg kokainë dhe 133 gramë heroinë, me vlerë tregu të paktën 810 mijë euro nëse do të shitej në doza.
Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Forca e Posaçme Operacionale, pas informacioneve të mbledhura nga inteligjenca informative, u vunë në ndjekje të dy të rinjve dhe finalizuan operacionin e koduar “Vortex”.
“Gjatë këtij operacioni u arrestuan në flagrancë për veprën penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, shtetasit V. J., 53 vjeç, dhe K. M., 37 vjeç (Viktor Jaupaj dhe Kujtim Metaj), të dy banues në Fier”, njoftoi policia vendore.
Në fshatin Novoselë, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin me drejtues Jaupajn dhe pasagjer Metajn, në të cilin gjatë kontrollit kanë gjetur dhe sekuestruar 400 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, e cila dyshohet se po transportohej në qytetin e Vlorës, për t’u shitur.
“Në vijim të veprimeve, strukturat e DVP Vlorë mbështetur dhe nga shërbimet e DVP Fier, ushtruan kontroll në banesën e shtetasit V. J., në Fier, ku gjetën dhe sekuestruan 2 kg e 979 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë dhe 133 gramë lëndë të dyshuar narkotike heroinë”, sqaron policia e qytetit bregdetar.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, pasi siguronin lëndë narkotike në sasi të mëdha në Fier, e transportonin atë drejt Vlorës, ku më pas ua shitnin shtetasve të tjerë, të cilët e shpërndanin në doza.
Gazetari Armand Xhelili, informon se lënda narkotike, së bashku me 3 peshore elektronike, 3 celularë dhe automjetin që këta shtetas përdornin për transport, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
“Vijon intensivisht puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme”, mbyllet njoftimi zyrtar. Hetimet mbeten ende aktive për të zbuluar bashkëpunëtorët dhe shtrirjen e rrjetit kriminal.