Kronike
Vodhën miliona lekë dhe pajisje në disa banesa, arrestohen tre persona
Tre persona kanë përfunduar në prangat e policisë në Belsh, pasi akuzohen si autorë të disa vjedhjeve në banesa të ndryshme. Nga njoftimi i policisë bëhet e ditur se shtetasit Aleks Kullolli, Emiliano Meço dhe L.N, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur në 3 banesa të ndryshe shuma parash, si dhe dyer e dritare. Konkretisht në brenda 1 muaji kanë vjedhur, 2 000 000 lekë të rinj, 13 000 euro dhe 6 000 dollarë dhe dyer e dritare në një banesë tjetër.
Njoftimi i policisë:
Cërrik/Finalizohet operacioni policor i koduar “Three”, kundër veprimtarisë kriminale të vjedhjes.
Vodhën në 3 banesa të ndryshme, në Belsh, rreth 4 000 000 lekë të rinj dhe pajisje, kapen dhe arrestohen 3 shtetas. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik dhe ata të Stacionit të Policisë Belsh, si rezultat i administrimit me përparësi dhe të menjëhershëm të disa kallëzimeve, për vjedhje në banesa, si dhe me mbështetjen e inteligjencës policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Three”. Si rezultat i operacionit u zbardhën 3 vjedhje për të cilat, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Elbasan, u kapën dhe u arrestuan shtetasit:
K., 22 vjeç, banues në Belsh, si dhe E. M., 40 vjeç dhe L. N., 49 vjeç, të dy banues në Lushnjë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë autorë të vjedhjeve në 3 banesa të ndryshme, konkretisht:
-Më datë 14.05.2023, kanë vjedhur 2 000 000 lekë të rinj, në banesën e shtetasit E. I.;
-Më datë 07.06.2023, kanë vjedhur 13 000 euro dhe 6 000 dollarë, në banesën e shtetasit O. B.;
-Më datë 01.06.2023, kanë vjedhur dyert dhe dritaret e banesës së shtetasit Y. T.
Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.