Kosova
Von Cramon: Serbia, provokuesja më e madhe e situatës në terren
Eurodeputetja gjermane, Viola von Cramon, ka komentuar situatën aktuale politike në Ballkanin Perëndimor, në veçanti dialogun Kosovë-Serbi dhe raportet e Bashkimit Evropian me Serbinë. Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, ka vlerësuar se Marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit është një “bazë e mirë” që synon t’i mundësojë Kosovës të ndërmarrë hapat e ardhshëm në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në atë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës duke materializuar kështu qëndrimin e saj pro-evropian. “Marrëveshja e Ohrit është një “bazë e mirë” që synon t’i mundësojë Kosovës të ndërmarrë hapat e ardhshëm dhe të materializojë qëndrimin e saj pro-europian, reformat e saj në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Europës” – tha për DW në gjuhën serbe, eurodeputetja gjermane Viola von Cramon. Por, siç theksoi ajo, “sado e hidhur të jetë, duhet të plotësohet një kusht, asociacioni i ngecur prej kaq shumë kohësh” Ajo ndër të tjera ka vlerësuar se një pjesë e madhe e provokimeve në terren vijnë nga Serbia, megjithatë, sipas saj, në këtë aspekt po kontribuon edhe Kosova. Von Cramon ka pasur kritika të ashpra për presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duke vlerësuar se ai kontrollon mediat dhe lejon fushata diskredituese ndaj Bashkimit Evropian e Perëndimit, kurse nga ana tjetër po ngopet me financimet e Unionit.
Eurodeputetja ndër të tjera ka potencuar se Gjermania është një nga investitorët më të mëdhenj në Serbi dhe për këtë arsye në dhjetë vitet e fundit janë krijuar më shumë se tetëdhjetë mijë vende pune. “Kjo për Serbinë krijon prosperitet ekonomik, por gjithashtu i lejon Vuçiç-it të betonojë fuqinë e tij politike” – theksoi eurodeputetja, duke deklaruar: “Kujtojmë kur presidenti serb vleresoi se duhet të shkonte në Kinë për tu takuar me Xi Jinping dhe Putinin, ndërsa liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor u mblodhën në Tiranë bashkë me liderët e Bashkimit Europian në Samitin e Berlinit. Çfarë bëri Vucic? Goditi me shqelma krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së, por edhe kolegët e tij në Ballkanin Perëndimor. Nuk mendoj se një gjë e tillë duhet toleruar. Nëse dikush nuk është i interesuar për Bashkimin Evropian, atëherë ai mund të vazhdojë të luajë pa Bashkimin Evropian, duke hequr dorë edhe nga miliardat e eurove”