Connect with us

Kronike

Vranë 19-vjeçarin pas sherrit për një thikë në Fier, Apeli lë në burg dy të rinjtë

Apeli ka lënë në burg dy autorët e vrasjes së Grei Bihucit në qendër të Fierit, Florjan dhe Klajdi Muka.

Më datë 11.03.2024, Salla Operative e Policisë Fier, ka njoftuar patrullën e shërbimeve policore, se tek “ish Piazza” në Fier ka një konflikt me thika. Ka rezultuar se si pasojë e këtij konflikti ka mbetur i vrarë shtetasi me iniciale G. B.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, ka zhvilluar gjykimin lidhur me vlerësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, ndaj personit nën hetim shtetasit me iniciale F. M si dhe ndaj personit nën hetim të miturit në konflikt me ligjin shtetasin me iniciale K.M, të dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Vrasjes me paramendim” dhe “Prodhimi, mbajtja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, të parashikuara nga nenet 78/1 e 25 dhe 279/2 të Kodit Penal.

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, me vendimin nr.  403, datë 14.03.2024, ka vendosur:

  1. Vlerësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë të kryer të personit nën hetim F. M, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim” dhe “Prodhimi, mbajtja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, të parashikuara nga nenet 78/1 e 25 dhe 279/2 të Kodit Penal.
  2. Caktimin ndaj personit nën hetim F. M, të masës së sigurimit personal “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.

3.Vlerësimin e  ligjshëm të arrestit në flagrancë të kryer të personit nën hetim K. M, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim” dhe “Prodhimi, mbajtja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, të parashikuara nga nenet 78/1 e 25 dhe 279/2 të Kodit Penal.

4.Caktimin ndaj personit nën hetim K. M, të masës së sigurimit personal “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, si dhe nenet 81 e 86 të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur.

 Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga personi nën hetim i mituri në konflikt me ligjin me iniciale K. M, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit, zëvendësimin e masës së sigurimit “arrest në burg” në “Vendosjen e të miturit në mbikëqyrje”.

Në përfundim të gjykimit, sot më datë 09.04.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtar z. Sokol Pina, vendosi:

– Miratimin e vendimit nr. 403, date 14.03.2024, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.

Advertisement