Aktualitet
Vrasja e Antonio Karafilit/ Prindërit e viktimës duan ndryshim akuze: Kejsi Spaillari të akuzohet për “vrasje në familje”

Mishel dhe Stefani Karafili, dy prindërit e Antonio Karafilit, i cili u vra nga e dashura e tij dhe një i moshuar, kanë kërkuar ndryshimin e akuzës për ngjarjen e ndodhur. Prindërit e të ndjerit i janë drejtuar me një kërkesë Prokurorisë së Korçës, në të cilën kërkojnë ndryshimin e akuzës për 25-vjeçaren Kejsi Spaillari. Kjo e fundit është shpallur në kërkim ndërkombëtar, për veprën penale të “Vrasjes me dashje” kryer në bashkëpunim, pasi nga hetimet u zbulua se së bashku me asokohe 65-vjeçarin Rexhep Vathi, kishte mbytur dhe më pas varur në pemë të dashurin e saj. Për shumë vite, ngjarja u klasifikua si një vetëvrasje e 18-vjeçarit, pas një sherri me të dashurën e tij.
Tani që kanë kaluar më shumë se 7 vjet dhe ngjarja është zbardhur, dy prindërit duan nga prokuroria që Kejsi Spaillari të akuzohet për “Vrasje për shkak të marrëdhënies familjare”. Përmes një MEMO-je të dërguar së fundi në Prokurori, dy prindërit kërkojnë që të merret në konsideratë edhe fakti që djali i tyre dhe autorja kishin një lidhje sentimentale duke bashkëjetuar mes njëri-tjetrin.
“…Kejsi Spaillari dhe Antonio Karafili kanë pasur një lidhje intime dhe të vazhdueshme për më shumë se dy vite. Marrëdhënia e tyre ka qenë e pranuar nga të dy familjet, duke i dhënë kësaj lidhjeje karakterin e një familjeje de facto.Ata kanë kaluar kohë të konsiderueshme së bashku, duke funksionuar si një çift…”– thuhet në Memon e dërguar, të publikuar nga gazetari Elton Qyno për “OraNews“.
Nëse akuzat ndryshojnë dhe Spaillari deklarohet fajtore në gjykatë, ajo rrezikon dënimin nga 25 deri në 35 vite burg.
Pse u vra Antonio Karafili?
Sipas asaj që dihet deri më tani, Spaillari duket se kishte nisur një histori paralele me Vathin, një person nga Kruja që kishte ngritur një stan dhe një lokal në pyllin e Voskopojës. Mesa duket Karafili ka zbuluar tradhëtinë dhe ky ka qenë “mëkati” i tij i vetëm. Ai u mbyt me çarçaf nga e dashura dhe partneri i saj. E më pas, u var në një pemë, për të inskenuar vetëvrasjen. Pas ngjarjes, Vathi vrau veten, ndërsa Spaillari ka nisur një jetë të re në Kanada.

